‘Patroni’ pranon se i mashtroi klientët me çmimin e naftës

11:39 | 01 March 2019

Kompanitë e derivateve të naftës po vazhdojnë t’i mashtrojnë klientët me çmimin e naftës. Me një mashtrim të tillë janë përballur klientët e kompanisë ‘Patroni’, shkruan ORAinfo.

Kjo kompani i ka mashtruar klientët e saj, duke ju prezantuar në çmimore, çmim me të lirë të naftës, ndërsa në dispeçerin e naftës, qytetarët janë detyruar të paguajnë me shtrenjtë.

ORAinfo ka siguruar disa foto ku çmimi i naftës ndryshon nga çmimorja e vendosur në hyrje të kësaj pompe të naftës në magjistralen Prishtinë-Fushë Kosovë në drejtim të Pejës.

Derisa në çmimore një litër naftë kushton 1 euro e 10 cent, në dispeçerin e naftës figuron çmim me i lartë, ku një litër qytetarët e kanë paguar për 2 cent me shtrenjtë.

Këtë mashtrim e kanë pranuar edhe në kompaninë ‘Patroni’. Sipas tyre ka ndodhur një gabim nga ana e teknikut të tyre.

“Së pari u kërkojmë falje klientëve për këtë gabim të bërë nga ana e teknikut tonë. Çmimi në tabelë i vendosur 1euro 10 cent është çmimi për disel për kamione dhe tekniku jonë gabimisht ka bërë vendosjen e çmimeve në tabelë duke vendosur gabim çmimin e ulët”, thuhet në përgjigjën e kompanisë ‘Patroni’ për ORAinfo.

Kujtojmë se në Kosovë nafta dhe benzina po vazhdon të shitet me çmime shumë më të lartë se sa standardi i kosovarëve.

Madje kompanitë e mëdha të naftës janë akuzuar për marrëveshje të fshehtë për caktimin e çmimit të naftës.

Këto dyshime kishin nxitur edhe reagimin e kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili kishte paralajmëruar se nëse vërtetohen këto pretendime, do të ketë edhe ndëshkime.

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ditë me parë ka marrë vendim për fillimin e hetimeve ndaj 16 ndërmarrjeve nën dyshimet për marrëveshjen e fshehtë për çmimet e naftës dhe benzinës. Në mesin e këtyre kompanive figuron edhe ‘Patroni’. /ORAinfo/

Komento: