Pavard tregon arsyen pse e refuzoi ofertën e Interit në janar

11:48 | 03 Mars 2023

Interi kërkonte të nënshkruante me Benjamin Pavardin në afatin kalimtar të janarit, por lojtari hodhi poshtë këtë ofertë duke vazhduar kështu qëndrimin e tij te Bayern Munichi.

“Nerazzurrët” filluan të kërkonin një mbrojtës të ri në afatin kalimtar dimëror pasi Milan Skriniar konfirmoi se do të largohet si lojtar i lirë në verë, transmeton Gazeta Express.

Bayern Munichi konfirmoi publikisht ardhjen e një oferte për Pavardin në janar, por nuk e specifikoi dërguesin e kësaj oferte.

Duke folur për gazetën gjermane “Sport1”, mbrojtësi francez zbuloi se për të ofertë kishte dërguar Interi, teksa tregoi edhe pse e kishte refuzuar ofertën e klubit italian.

“Unë nuk jam nga ata që heq dorë në mes të rrugës. Qëllimi im ishte padyshim të qëndroja me Bayernin. Jam i vendosur të jap gjithçka për klubin dhe ekipin dhe dua të fitoj sa më shumë tituj me Bayernin”, deklaroi 26-vjeçari.

Benjamin Pavard me kampionët gjermanë ka kontratë të vlefshme deri më 30 qershor 2024.

Komento: