Lajm të mirë e ka quajtur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, marrëveshjen e lidhjes së Operatorit të Transmetimit të Kosovës me Operatorët e Transmetimit të Evropës Kontinentale.
Rama në Facebook ka shkruar se ky është një hap i shumë pritur meqë i hap rrugën së shpejti marrëveshjeve të nënshkruara në mes të operatorëve, për rritjen e sigurisë së sistemit elektroenergjetik të dy shteteve shqiptare.
“Ky është një hap i shumëpritur, pasi i hap rrugën se shpejti marrëveshjeve te nënshkruara ndërmjet KOSTT dhe OST për rritjen e sigurisë se sistemit elektroenergjetik të dy shteteve shqiptare”, ka shkruar Rama.
Republika e Kosovës do të kontrollojë kufijtë e vet energjetikë, duke dalë përfundimisht nga blloku rregullues SMM (Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut) dhe duke iu bashkuar Bllokut Rregullues të Sistemeve Energjetike Kosovë-Shqipëri.
Deri te kjo ka ardhur pasi të hënën është votuar Marrëveshja e re e Kyçjes në mes të Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji (ENTSO).