
Ditë më parë ka përfunduar procesi i intervistimit të kandidatëve për anëtarë të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), ka bërë të ditur deputetja Arbërie Nagavci, e cila njëkohësisht ka udhëhequr Komisionin përgjegjës për këtë proces.
Nagavci ka theksuar se procesi është zhvilluar me intensitet dhe me synim që të garantohet transparencë, profesionalizëm dhe përzgjedhje e bazuar në meritë.
“Kemi përmbyllur me sukses procesin e intervistimit të kandidatëve për anëtarë të Bordit të RTK-së, pas një pune intensive në Komision,” ka deklaruar ajo.
Ajo ka vlerësuar angazhimin e deputetëve anëtarë të Komisionit dhe mbështetjen e zyrtarëve të Kuvendit, duke theksuar se puna është zhvilluar në nivel të lartë profesional.
Këta janë kandidatët për anëtarë të Bordit të RTK-së që pritet të shkojnë për votim në Kuvend
“Përkushtimi dhe serioziteti i treguar nga deputetët anëtarë të Komisionit si dhe mbështetja nga zyrtarët e Kuvendit kanë qenë në nivel të lartë, me synimin që ky proces të jetë sa më transparent, profesional dhe i bazuar në meritë,” ka shtuar Nagavci.
Sipas saj, lista me emrat e kandidatëve tashmë është dërguar për shqyrtim në Kryesinë e Kuvendit të Kosovës, ndërsa ka shprehur pritje që procesi të finalizohet në seancë plenare.
Nagavci ka bërë thirrje që Bordi i RTK-së të kompletohet sa më shpejt, duke theksuar se institucioni ka funksionuar pa bord të plotë për rreth dy vite.
“Uroj që sa më shpejt të kemi kompletimin e Bordit, duke e ditur se ka dy vite që është jofunksional,” ka theksuar ajo, duke shtuar se bordi i ri duhet të përbëhet nga profesionistë që i shërbejnë interesit publik.
Ndryshe, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, Lëvizja FOL, Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe aktivistja Flutura Kusari të cilët kanë theksuar se procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të Bordit të RTK-së është i komprometuar, ndërkaq, kanë kërkuar që emrat të mos dërgohen në Kuvend.
AGK: Procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të Bordit të RTK-së është i komprometuar – emrat të mos dërgohen në Kuvend
Në reagimin e tyre thuhet se procesi ka dështuar për disa arsye, ndërsa sipas tyre, përtej shkeljeve të evidentuara, procesi është zhvilluar në një klimë konfrontuese nga ana e disa deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje.
Komisioni Ad-Hoc ka rekomanduar këta kandidatë për seancë plenare: Valmirë Thaqi, Flokart Aliu, Fatos Mustafa, Arbrore Riza, Gëzim Brahaj, Xheraldina Cernobregu, Njomza Beqiri, Anita Toqi, Lulzim Beqiri, Fatmir Podrimaj, Ilirjan Himaj dhe Avni Zuka.
Për pozitat nga komuniteti serb janë rekomanduar Vidosav Kostoviq, Ivana Miliq ndërsa nga komunitetet tjera jo shumicë janë rekomanduar Anesa Çolakoviq dhe Aldin Shabani.