Pavarësisht vendimit të KQZ-së, VV bën thirrje të votohet Kurti

22:44 | 05 Shkurt 2021

VV bën thirrje të votohet Kurti, pavarësisht sqarimit zyrtat i KQZ-së.

Lëvizja Vetëvendosje ka insistuar se vota ndaj prijësit të listës së këtij subjekti politik, do të jetë e vlefshme.

Vetëvendosje, me anë të ‘Facebook’-ut, ka kërkuar nga përkrahësit e tyre që kandidatët të numërohen nga numri 1, e të mos mënjanohen në votim.

“Secila votë për Vetëvendosjen – 127 – do të jetë e vlefshme! Mos i dëgjoni ata që thonë ndryshe. Votoni 127, pastaj zgjidhni jo më shumë se pesë numra kandidatësh nga lista jonë. Secila votë do të numërohet, që prej numrit 1 që është Albin Kurti, e deri në fund”, thuhet në postim.

“T’i japim mbështetje sa më të madhe Lëvizjes dhe kryeministrit tonë!”, thuhet tutje.

Në anën tjetër, diçka e këtillë konsiderohet kundërthënëse karshi asaj se çka thojnë nga KQZ’ja.

“Pra, nëse një subjekt politik ka të certifikuar 4 kandidatë dhe në fletëvotim janë shënjuar 5 numra, në FLLK evidentohen këto 5 shënjime, por ato nuk barten të gjitha në Formularët e Rezultateve të Kandidatëve. Në këta formularë bartën vetëm votat e kandidatëve të certifikuar”, ka deklaruar zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi.

Ai ka sqaruar edhe procedurën lidhur me nxjerrjen e rezultateve të zgjedhjeve.

“Pas përfundimit të votimit, anëtarët e Këshillit të Vendvotimit, të cilët përfaqësojnë subjektet politike, numërojnë fillimisht votat për subjektet politike, duke krijuar dengje me votat e vlefshme për secilën prej tyre.

Pas këtij procesi, Këshilli i Vendvotimit numëron pjesën tjetër të fletëvotimit: votat e kandidatëve. Këto të dhëna paraqiten në Fletat Llogaritëse të Kandidatëve (FLLK) për secilin fletëvotim. Në këto fleta paraqiten të dhënat për çdo numër. Pas kësaj, bëhet bartja e totalit të votave për secilin kandidat të certifikuar”, qartëson Elezi.

Komento: