Paratë që s’preken dot.
Republika e Kosovës ka pësuar humbje të mëdha financiare për shkak të pandemisë se shkaktuar nga koronavirusi. Për të mbuluar humbjet, Qeveria në detyrë e Kosovës është duke negociuar madje tashmë edhe ka aprovuar marrëveshje me disa institucione financiare ndërkombëtare për marrjen e kredive në mbi 300 milionë euro.
Derisa qeveria synon të hyjë në kredi ndërkombëtare, Trusti i Kursimeve Pensionale të Kosovës dhe Agjencia Kosovare e Privatizimit shumicën e parave i mbajnë të bllokuara ose të investuara në shtete të ndryshme të Evropës dhe botës.
Më shumë se 2.6 miliardë euro ka arritur vlera e mjeteve të grumbulluara nga këto dy institucione. Nga kjo shumë, mbi 1,9 miliard euro janë kursime të qytetarëve në Trustin e Kursimeve Pensionale të Kosovës, kurse Agjencia Kosovare e Privatizimit ka grumbulluar mbi 765 milionë euro nga shitja e 1993 aseteve të ndërmarrjeve shoqërore.
Ekspertë për çështje ekonomike vlerësojnë se në këtë kohë është momenti i domosdoshëm për gjetjen e mënyrave për shfrytëzimin e këtyre mjeteve në tregun e Kosovës.
Mejdi Bektashi, profesor në Universitetin e Prishtinës, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thotë se duke marrë parasysh nevojën për mjete financiare dhe kërkesën për rimëkëmbje ekonomike, hyrja në qarkullim e këtyre mjeteve do të ndikonte në përmirësimin e situatës ekonomike.
“Mundësia tjetër është që mjetet të sigurohen nga Trusti Pensional i Kosovës ose nga Fondi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Alternativa tjetër është që Qeveria e Kosovës të shes letra më vlerë, bono thesari dhe nga bankat komerciale që kanë tepricë të mjeteve të sigurojë një sasi deri në 200 milionë euro, për intervenim si infusion për shkak të pandemisë”, tha Bektashi.
Situatën më pandemi të shkaktuar nga koronavirusi dhe gjetjen e mundësive për lehtësim të efekteve negative në ekonomi, Bektashi thotë se po e vështirëson kriza politike në vend pas votimit të suksesshëm të mocionit të mosbesimit më 25 mars, ndaj qeverisë.
Sipas tij, edhe për zhbllokimin e mjeteve nga Trusti i Kursimeve Pensionale dhe Agjencia Kosovare e Privatizimit, nevojitet ndryshim i bazës ligjore në Kuvend. Në këtë kuadër, Bektashi, thotë se Kuvendi ka bllokuar edhe ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare për marrjen e kredive.
“Unë besoj që është një gabim ose një vonesë e pajustifikueshme për Parlamentin e Kosovës. Pra, kriza politike do të jetë shkaku kryesor për thellimin e mëtutjeshëm të krizës nga pandemia”, shprehet Bektashi.
Sidoqoftë, deri më tani, Trusti i Kursimeve Pensionale tashmë ka investuar në Kosovë 570 milionë euro ose 29 për qind e të gjitha mjeteve në dispozion, thotë për Radion Evropa e Lirë, Jeton Demi zëdhënës në këtë institucion.
Prej tyre 384 milionë euro janë blerja e letrave më vlerë të qeverisë se Kosovës dhe rreth 186 milionë euro janë depozita të afatizuara në bankat e Kosovës.
Kurse Agjencia Kosovare e Privatizimit në buxhetin e Kosovës ka transferuar mbi 381 milionë euro.
Sipas Agjencisë Kosovare të Privatizimit, fondi i grumbulluar nga shitja e ndërmarrjeve shoqërore, parasheh t’i kompensojë kredituesit potencialë të ndërmarrjeve të shitura.
Kurse, Fondet Tepricë sipas Ligjit për AKP-në thuhet se agjencia i përcakton dhe deklaron si “Fonde Tepricë” deri në 75 për qind të çdo të ardhure që e tejkalon maksimumin e vlerës së përllogaritur.
Sipas ligjit, kjo shumë mund të përdoret për zhvillimin ekonomik të vendit, me aprovim të Kuvendit të Kosovës.