
Partia Demokratike e Shqipërisë deklaron se Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) ka hequr sanksionimin që i ndalonte hyrjen në territorin amerikan kreut të kësaj partie, Sali Berisha. Ambasada amerikane në Tiranë nuk ka dhënë asnjë koment, ndërsa Partia Demokratike ka deklaruar se vendimi është marrë, por ende nuk është shpallur zyrtarisht nga institucionet amerikane.
Radio Evropa e Lirë i është drejtuar DASH-it për të konfirmuar pohimin e PD-së lidhur me çështjen e Berishës.
Më 19 maj të 2021, DASH-i ia ndaloi hyrjen në territorin amerikan ish-presidentit dhe ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha dhe anëtarëve të familjes së tij të ngushtë, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të gjerë. Sekretari amerikan i Shtetit në atë kohë, Antony Blinken, tha se Berisha, në cilësinë e tij zyrtare, në veçanti si kryeministër i Shqipërisë, ishte i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike.
Kryetari i PD-së, Sali Berisha hyri në sallën e Kuvendit të enjten duke deklaruar “Unë erdha, u krye”. I pyetur nga gazetarët, Berisha tha se ka pasur komunikim zyrtar nga autoritetet amerikane, por nuk tha se kush ia ka komunikuar, raporton Radio Evropa e Lirë.
“Sali Berisha nuk ka qenë kurrë non grata [person i padëshiruar]. Ka pasur një sanksion, vizën. Kundërshtarët e mi e quajtën non grata dhe unë nuk është se e kundërshtova”, tha Berisha ndërsa nuk iu përgjigj gazetarëve nëse sanksionimi është hequr edhe për familjarët e tij.
Sipas DASH-it, ish-kryeministri shqiptar, përdori pushtetin e tij për përfitimet dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij. Për këtë arsye iu ndalua hyrja në SHBA Berishës, bashkëshortes së tij, Liri Berisha, djalit të tij, Shkelzen Berisha dhe vajzës, Argita Berisha Malltezi.
Pas deklaratave nga Berisha dhe Partia Demokratike, reagoi kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
“Statusi ‘non grata’ është vendosur mbi bazën e seksionit 7031(c). Në vlerësimin tim është pak vështirë të hiqet. Unë do ta komentoj vetëm kur të ketë një njoftim zyrtar nga DASH-i ose nga Ambasada amerikane. Nuk komentoj biseda telefonike, sepse nuk është korrekte dhe nuk është institucionale”, tha Balla.