PDK lëshon akuza në drejtim të Shpend Ahmetit dhe LDK’së.
Dega e Partisë Demokratike në Prishtinë sot ka folur për gjendjen e transportit publik në kryeqytet. Është përmendur edhe taksa për hyrje me vetura në Prishtinë, raporton Express
Në një konferencë për media, PDK ka kritikuar LDK’në e VV’në për premtimet e parealizuara në kryeqytet.
Nënkryetari i PDK-së në Prishtinë, Bujar Cakolli ka folur për trafikun urban dhe transportin publik në kryeqytet.
“Margaritari i fundit i modelit qeverisës të VV-së, paralajmërimi për të vendosur taksën e hyrjes në Prishtinë për banorët e qyteteve të tjera, është një përpjekje e dëshpëruar dhe e dështuar, për të mbledhur një grusht votash. As kaq nuk do të jetë efekti i saj, ngase Prishtina, është e prishtinasve, por është edhe kryeqendra e gjithë Kosovës, jo vetëm administrative, por edhe biznesore. Duke qëndruar në Prishtinë, banorët e qyteteve të tjera i lënë asaj dhe bizneseve të saj një përqindje të lartë fitimi”, ka deklaruar ai.
Deputetja e PDK-së Eliza Hoxha, ka përmendur taksën e cila u propozua nga kryetari Shpend Ahmeti, për të hyrë në qytet me vetura.
Ajo tha se taksa është hapi i fundit në menaxhimin e lëvizshmërisë brenda një qyteti.
“Kur jemi tek mobiliteti dhe infrastruktura lirisht mund të themi se të gjitha rrugët shpiejnë në Prishtinë. Partia Demokratike e Kosovës sa ishte në pushtet në nivelin qendror ka realizuar një mori projektesh infrastrukturore në nivel vendi, autostradat si dhe zgjerimin dhe trajtimin e rrugëve regjionale që Prishtina të jetë e lidhur sa më mirë me të gjitha qytetet e tjera”, ka deklaruar Hoxha.
Hoxha ka thënë se të thirresh në taksë për me pak makina e më pak ndotje në qytet e të ndërtosh parking me 700 njësi parkimi në qendër të qytetit është absurde. Shqetësim të njëjtë ka edhe për këmbësorët.
“Ecja në këmbë vazhdon të jetë mision i pamundur por edhe ajo me biçikletë. Krijimi i shtigjeve të reja për çiklistë në dëm të hapësirës, trotuarit për këmbësorë siç është rasti tek ndërtesa e KEDS e tutje po ashtu tregon për qasje përjashtuese”, ka thënë ajo.