PDK e LDK akuzojnë mazhorancën për bojkotim të Komisionit për kontratat njëburimore, këta të fundit gjejnë arsyetim

14:44 | 22 Shtator 2024
pdk-e-ldk-akuzojne-mazhorancen-per-bojkotim-te-komisionit-per-kontratat-njeburimore,-keta-te-fundit-gjejne-arsyetim

Dy partitë opozitare të Kuvendin të Kosovës, PDK e LDK, në prill të këtij viti kanë kërkuar formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për t’i hetuar kontratat njëburimore të nënshkruar nga Qeveria por kjo u pamundësua nga partia në pushtet. Sipas deputeteve Blerta Deliu e Rrezarta Krasniqi, iniciativa u bojkotua e nga partia në pushtet – Vetëvendosje pasi njerëzit e saj janë të përfshirë në krim e korrupsion.

Ndërsa deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka thënë për Ekonomia Online se hetimet parlamentare i kontribuojnë sundimit të ligjit. Por, sipas tij, opozita e ka devalvuar këtë çështje, duke kërkuar komisione hetimore edhe për lëndë që kanë qenë duke u trajtuar nga Prokuroria dhe gjykatat.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, ka thënë për Ekonomia Online se arsyeja e mosvotimit të këtij komisioni është sepse Qeveria Kurti është e përfshirë shumë afera korruptive.

Ajo thekson se tashmë janë ngritur aktakuzë për “njerëzit e Vetëvendosjes”, siç janë rasti i Nagip Krasniqi dhe i Martin Berishajt.

“Afera korruptive ka shumë sepse i kemi parë që njerëzit e Lëvizjes Vetëvendosje të cilët u janë ngritur aktakuzë, siç është Nagip Krasniqi, mirëpo aferat më e rëndë që është dhe ende na prezanton neve në arenën ndërkombëtare është ajo e Martin Berishaj, dhe e shumë e shumë anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje. Komisioni nuk është përkrahë, por edhe të tjerat komisione hetimor të cilat janë përkrahë shumica nuk janë ardhur me bë kuorumin. Po nisem nga vetja si anëtare e Komisionit për Politikë të Jashtme, Komisioni hetimor. Kemi kaluar gjashtë muaj dhe të premten e kemi një seancë dhe me kaq përfundon. Nuk kemi arritur me u votu as listën e personave që kanë pasur me ardhë me dëshmu para anëtarëve të Komisionit Hetimor. Këta janë vetë që po i ngecin punët e qeverisjes së tyre”, ka thënë Krasniqi.

Sipas deputetes së LDK-së, shumë anëtarë të partisë së kryeministrit Kurti janë të përfshirë në krim dhe korrupsion.

“Ato vetëm kanë dalë, shumica e anëtarëve të Vetëvendosjes se çka është bërë me ta. Kemi parë ambalazhuesit e ujit në Ministrinë e Infrastrukturës; keni parë me ekstazi që është zënë asamblisti i VV-së; Martin Berishaj; drejtori i ‘Ibër-Lepencit’ Faruk Mujka… ka shumë njerëz të VV-së që janë të përfshirë në krim dhe korrupsion. Kurti pat thënë se në Burgun e Dobravës do ta rrisim edhe për disa kate, mirëpo tani po i dërgon njerëzit e vet e jo njerëzit e partive të tjera siç e ka paramenduar ai”, u shpreh ajo.

Krasniqi ka deklaruar se çdo ditë në terren po shohin zhgënjimin që kanë qytetarët për Qeverinë Kurti, e cila dikur ishte proklamuar si “e shpresës”.

“Çdo ditë po shohim në takim me qytetarët të cilët i ka zhgënjyer sepse asnjë premtim që e ka dhënë gjatë fushatës nuk e ka përmbajtje. ka thënë se do ta lirojë energjinë elektrike ne sot punojmë dyfish më shtrenjtë, ka thënë se do ta lirojë tatimin në pronë por sot punojmë paguajmë dyfish. Ka thënë se do ta heq TVSh në ushqimet bazike, ju e dini sa inflacioni është në Kosovë dhe çfarë rrogash kemi. Asnjë premtim që e ka dhënë gjatë fushatës nuk e ka mbajtë”, deklaroi ajo.

Ndërsa, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, për Ekonomia Online, ka thënë kërkesa për këtë komision ka për qëllim llogaridhënien e kësaj qeverie dhe zbardhjen e rasteve.

“Presim që vazhdimisht ne do të vazhdojmë me angazhimin tonë si partia më e madhe opozitare, kërkesat tona për formimin e Komisionit Hetimor, për llogaridhënie nga Qeveria. Janë bërë përpjekje që një vjet për miratimin e këtij komisioni, por pavarësisht kërkesës së përhershme të opozitës nuk kanë miratimin dhe mbështetjen e tyre ose ka ndodhur tjetra komisionet të cilat janë votuar nga mazhoranca por të cilat janë bojkotuar me mospjesëmarrjen e deputetëve shumicës parlamentare në këto takime të komisioneve. Natyrisht për llogaridhënie për rastet që kanë ndodhur në të kaluarën dhe për rastin Dehari por edhe për çështjet e tjera shumë të përfolura në Institutin e Mjekësisë Ligjore për vjedhjen e mostrave dhe shumë çështje tjera, jo vetëm për të dhënë dritë mbi to, por për të sjellë mos përgjegjësisë dhe mos inkurajimin e Qeverisë për ta zbardhur rastin sepse siç e kemi parë rastet janë përdorur për kampanja zgjedhore e në fakt nuk ka asgjë që ne e shohim”, ka thënë Deliu.

Mirëpo, ajo deklaroi se ajo çfarë e ka karakterizuar Kuvendin është barrikadimi i Qeverisë për të mos hetuar Komisionet Hetimore Parlamentare, mospërgjigjja dhe mosllogaridhënia e ministrave.

“Çfarë e ka karakterizuar Kuvendin është barrikadimi i Qeverisë për të mos hetuar Komisionet Hetimore Parlamentare, mospërgjigjja dhe mosllogaridhënia e ministrave të cilët nuk japin përgjigje, përfshirë edhe vetë kryeministrin. Ne si opozitë natyrisht që pavarësisht faktit që është caktuar data e zgjedhjeve konsiderojmë që do të mundohemi të bëjmë përpjekjet tona për të kërkuar llogaridhënie dhe përgjegjësi për dekurajimin që sot e kanë qytetarët e Kosovës të cilat janë sfiduar në të gjitha drejtimet”, shtoi deputetja.

Por deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka thënë për Ekonomia Online se hetimet parlamentare nuk i kontribuojnë sundimit të ligjit.

“Ne kemi qenë të përkushtuar, por edhe të dhënat mbi pjesëmarrjen e deputetëve dëshmojnë se deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë marrë pjesë në pjesën dërrmuese të këtyre mbledhjeve, ndërkohë që deputetët e opozitës kanë munguar në këto mbledhje. Por duhet ta them një gjë në rrafshin pak politik në lidhje me komisionet hetimore, kjo opozitë e çoroditur në mungesë të alternativës së ideve politike programore, e ka devalvuar në mënyrë të jashtëzakonshme çështjen e komisioneve hetimore parlamentare. Hetimet parlamentare ose hetimi parlamentar është një aktivitet i rëndësishëm që i kontribuon sundimit të ligjit ose mbrojtjes së interesit publik për një çështje të cilën ka interes të përgjithshëm dhe që natyrisht nuk janë përfshirë institucionet tjera siç është Prokuroria ose Gjykatat”, u shpreh Rrustemi.

Ai ka kritika në drejtim të partive opozitare për kërkesat për formim të komisioneve hetimore. Sipas tij, në rastet specifike kanë qenë duke u trajtuar nga organet e drejtësisë.

“Kjo opozitë pothuajse për çdo temë, si asnjëherë më parë ka iniciuar komision hetimor parlamentar, dhe mos harroni, akti më i rëndësishëm politik për këto komisione hetimore parlamentare, ka qenë akti i themelimit dhe debati mbi themelimin, në momentin kur është marr vendimi për themelimin kanë pushuar edhe akuzat e opozitës, ka pushuar edhe angazhimi i opozitës, ka pushuar edhe kontributi në këto komisione, sepse temat kanë qenë të paqena dhe pa objekt. Disa prej temave në rastet specifike kanë qenë duke u trajtuar nga Prokuroria dhe Gjykatat. Zakonisht komisionet hetimore parlamentare e iniciojnë një çështje me interes publik dhe nga hetimi parlamentar rezultojnë faktet të cilat i ofron Prokurorisë dhe Gjykatës për t’i trajtuar më tutje, por nuk mund të bëhet hetimi parlamentar paralelisht me hetimin që ndërmerr organi i akuzës siç ka ndodh në disa raste ose siç po ndodh. Prandaj Lëvizjes Vetëvendosje është shumë e përkushtuar në këtë drejtim, hetimin parlamentar e vlerëson shumë por nuk duhet të devalvohet siç ka ndodhur gjatë kësaj legjislature”, u shpreh ajo.

Komento: