PDK e LDK e konsiderojnë “dështim” vizitën e Kurtit në SHBA – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

PDK e LDK e konsiderojnë “dështim” vizitën e Kurtit në SHBA

14:22 | 23 Maj 2022

Shefat e Grupeve Parlamentare të LDK-së dhe PDK-së, Arben Gashi dhe Abelard Tahiri, kanë folur para mediave sot pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.

Gashi e Tahiri kanë folur edhe për vizitën gati tri-javore të kryeministrit Albin Kurti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e cilësuar atë më shumë si “dështim” se sa arritje.

Gashi ka thënë se është e pazakontë që në kohët moderne një kryeministër i një vendi të qëndrojë më shumë se tri javë jashtë vendit, e sidomos duke marrë parasysh problemet me të cilat po përballet Kosova aktualisht.

“Është e pazakonshme që një kryeministër në kohët moderne me qëndru tri javë jashtë vendit, e sidomos gjatë krizës energjetike dhe problemeve madhore si problemet e sigurisë globale. Gjithashtu është edhe çështja e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, e kryeministri të mos jetë as në Evropë për lobim. Kryeministri nuk gjendet në Kosovë pothuajse që tri javë dhe kjo mungesë e prezencës së tij nuk arsyetohet me nivelin e takimeve që ka pasur në SHBA. Niveli i takimeve dhe numri i takimeve, rezultati i takimeve nuk do ta arsyetonin as një vizitë katër-ditore se jo një vizitë 19-ditore tash atje. Nuk do të dëshiroja në asnjë formë që ta shihja kryeministrin e Kosovës duke u sjellë në një shtet mik e përkrahës të jashtëzakonshëm të Kosovës, për javë të tëra duke kërkuar për dëshpërimisht të takohet me zyrtarë të lartë shtetëror atje. Ky dështim i kryeministrit është fatkeqësisht dështim i Kosovës, pavarësisht a jemi në pozitë apo opozitë, nuk do të donim ta shihnim kryeministrin e Kosovës në këtë gjendje”, ka thënë Gashi.

Në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se qëndrimi i Kurtit për një kohë kaq të gjatë në SHBA dhe mos realizimi i asnjë takimi të nivelit të lartë, do të ishte gjëja e fundit që do t’i kishte dëshiruar dikujt, qoftë ai edhe kundërshtar politik.

“Në fund të fundit, largimi i çështjes sonë prej agjendës nga Qeveria e SHBA-së është dëmi më i madh që mund ta imagjinojmë se mund t’i bëhet vendit tonë. Është e pashembullt, është dëmtim shumë i madh për neve që kryeministri ynë qëndron për më shumë se dy javë atje, në vizitë zyrtare – jo private dhe nuk arrin një takim në një nivel të tillë. Ne e kuptojmë rolin tonë, e dimë se Kosova nuk është ajo që duhet të jetë në Shtëpinë e Bardhë për të zgjidhur problemet globale. Nuk është Kosova ajo që jep orientim për zgjidhjen e asaj çfarë po ndodh nëpër botë. Por, prezenca jonë në Shtëpinë e Bardhë, prezenca jonë në Departamentin e Shtetit Amerikan, takimet e tilla, tregojnë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Qeveria e SHBA-së, vazhdon me pas vëmendjen dhe përkushtimin e duhur për vendit tonë”, ka thënë Tahiri.

Ai ka thënë se takime të nivelit të lartë kanë pasur të gjithë ish-kryeministrat e presidentët e kaluar në SHBA, andaj mos-pritja e kryeministrit Kurti në nivele të tilla, sipas Tahirit është dëmi më i madh që mund ta imagjinojmë në raport me fuqizimin e agjendës ndërkombëtare si Republikë e Kosovës.

Komento: