
Ish-deputetet e PDK-së dhe LDK-së i kanë reaguar ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Muratit, rreth deklaratës së tij për liberalizimin e vizave në Kosovë.
Në postimin e tij, Murati e ndërlidhi këtë proces me “izolimin e shtetit nga Qeveria Kurti”, pasi sipas tij, këtë e thonë ish-opozita. Vlora Çitaku nga Partia Demokratike e Kosovës, në reagimin e saj tha se kontributi i vetëm i Lëvizjes Vetëvendosje në procesin e liberalizimit të vizave ka qenë gazi lotsjellës dhe vonesat disavjeçare.
Sipas saj, kjo parti asnjë kontribut tjetër nuk e ka në këtë proces. Ajo madje ironizoi me ministrin në detyrë, duke thënë se një ditë VV do të tregojë se e ka shpallur edhe Pavarësinë e Shqipërisë si dhe ka çliruar Kosovë.
“Qesharak jeni bërë. Veç kur të na tregoni një ditë se ju e keni shpallur edhe Pavarësinë e Shqipërisë, edhe e keni çliruar Kosovën. Mos u merr me gjëra koti. Dil pak dhe shko vetëm në një barnatore, e ke me i pa qytetarët tanë duke mos pasur para as barnat me i pagu. Dil dhe takoje ndonjë pensioner, e të tregon se si po duhet me kursy nga buka e gojës për t’i paguar faturat e energjisë elektrike. Kryeje ndonjë punë tënden, e pastaj krekosu”, ka shkruar ajo.
Nga ana tjetër, Jehona Lushaku-Sadriu e LDK-së, tha se Murati po krenohet me punën që e kanë bërë të tjerët, pasi sipas saj, ai nuk ka çfarë të tregojë për qeverisjen e partisë së tij. Ajo ia përmendi ministrit në detyrë sanksionet, miliardat e humbura, duke shtuar se Kosova sot është më e izoluar se kurrë.
“Cilin kusht për liberalizim e keni plotësu ju VV-ja, që po ke qejf me marr merita? Ju e keni kall shtetin mos me lanë me u plotësu demarkacioni i kufirit, si kushti i fundit nga BE. Ja keni humbë Kosovës një dekadë pa liberalizim. Radhët e gjata para ambasadave të qytetarëve tanë për viza për 10 vjet kanë qenë prej jush! A keni harru cka ka bë VV asokohe, a? Demalkacioni, Demalkacioni… Protesta, gaz në Kuvend, molotov,… e çka s’keni bë për me ndërtu kauza të rrejshme për pushtet!”, ka shkruar Lushaku-Sadriu.
“Sot, Kosova është në SANKSIONE dhe më e izoluar se kurrë! Kosova ka humbë 1 miliard euro asistencë si rezultat i sjelljeve tua edhe Kurtit! Sa shkolla, rruga e sa projekti kish arritë me u realizu me këto grante, që ju ia keni humbur Kosovës. Keni me u ndëshku keq më 28 dhjetor për këto manipulime historike që ia keni bërë vendit!”.