
PDK i çon në Gjykatë Kushtetuese masat kufizuese që i shpalli Ministri Vitia.
Deputetja e PDK’së, Besa Ismaili, e ka dorëzuar sot në Gjykatë Kushtetuese kërkesën për vlerësim të vendimit të marrë nga ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, për kufizimin e lëvizjës së qytetarëve për shkak të përhapjes së virusit Covid 19.
“Ne e kemi pasur një aktvendim të qartë të Gjykatës Kushtetuese që ka treguar se vendimet e tilla te kufizimit te lirive nuk mund te merren nga Qeveria, por Kryeministri Kurti ka vendosur me vetedije qe ta vazhdoje shkeljen e Kushtetutes, tani nepermjet Ministrit te tij, z. Arben Vitia”, tha deputetja e PDK, Besa Ismaili.
“Bëhet fjalë per vendimet që shkelin të drejtën e lirisë së lëvizjës nga Neni 35 i Kushtetutës së Kosovës, si e drejtë e garantuar për qytetarët e Kosovës, si dhe Neni 55 i Kushtetutes, i cili shprehimisht përcakton se kufizimet e disa të drejtave të lirive të njeriut mund të bëhen vetëm me ligj”, tha ajo.
Duke folur në emër të PDK, deputetja Ismaili ftoi qytetarët të qëndrojnë në shtëpi dhe të bëjnë kujdes në përballje me pandeminë me coronavirus.
“Lufta jonë ndaj pandemisë se COVID19 është e përbashkët, ashtu sic duhet të jetë e përbashkët lufta jonë për ruajtjen e parimeve demokratike të shtetit tonë dhe respektimin e Kushtetutës”, tha deputetja Ismaili.