PDK kërkn shkarkimin e Rozeta Hajdarit.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri dhe deputetja Blerta Deliu-Kodra, i kanë kërkuar kryeministrit Kurti shkarkimin e Ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.
Tahiri ka thënë se Rozeta Hajdari ka bërë disa skandale të vazhdueshme për të cilat as nuk ka dhënë llogari as përgjegjësi.
“Në kodin e procedurës penale që ne kemi miratuar në Kuvend, parashihet suspendimi i zyrtarëve të lartë publik të cilët kanë aktakuza për krim të organizuar dhe korrupsion. Sot, Vetëvendosje e ka një ministre e cila ka aktakuzë për mos deklarimin e pasurisë, atëherë çfarë roli ka kodi i procedurës penale që ne e kemi miratuar? Kjo është e paparanueshme”, ka thënë Tahiri.
Tahiri ka kërkuar nga Kryeministri që ta shkarkojë ministren deri të premten.
“Përndryshe, do të nisim një mocion përmbajtjesor në Kuvendin e Kosovës, ku do të kërkojmë përmes seancës votimin e një rezolute që i bën thirrje Kryeministrit ta shkarkojë Rozeta Hajdarin”, ka thënë Tahiri.
Ndërkaq, deputetja Blerta Deliu-Kodra tha se kryeministri Kurti ka disa arsye pse duhet ta shkarkojë ministren Hajdari.
“Ministrja Hajdari ka pasur skandale të panumërta dhe së fundmi, ne kemi kërkuar ta shohim padinë të cilën thuhet se e kanë bërë ndaj revistës franceze. Ministria e udhëhequr nga Rozeta Hajdari ka thënë se kanë filluar proceduar për padi, por rezultate nuk kemi parë në lidhje me promovimin e Kosovës si vend ku lindën manastiret serbe. Pas të gjitha këtyre skandaleve, ajo duhet të shkarkohet nga Kryeministri”, ka thënë ajo.