PDK i kërkon sërish seancë, a do t’u përgjigjet Dehari këtë herë?

07:24 | 28 Gusht 2026

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), në krye me Vlora Çitakun, i ka dërguar letër kryesuesit të seancës konstituive, Avni Deharit, duke i kërkuar që sot, më 28 gusht, në ora 11:00, të thërrasë vazhdimin e seancës.

PDK-ja vlerëson se moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit të përcaktuar ka krijuar, sipas tyre, një situatë të rëndë të shkeljes së Kushtetutës dhe të mosrespektimit të aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Në letrën drejtuar Deharit, deputetët e PDK-së kërkojnë që ai, në cilësinë e kryesuesit të seancës konstituive sipas moshës, të përmbushë obligimet e tij kushtetuese dhe procedurale dhe të mundësojë vazhdimin e procesit të konstituimit.

“Moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit të përcaktuar tashmë ka krijuar një situatë të rëndë të shkeljes së Kushtetutës dhe të mosrespektimit të aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në letrën e PDK-së.

Sipas PDK-së, tejkalimi i afatit kushtetues nuk e heq detyrimin për konstituimin e Kuvendit dhe se procesi duhet të vazhdojë pavarësisht vonesave.

Partia Demokratike thekson se roli i kryesuesit të seancës konstituive është i përcaktuar dhe i kufizuar nga Kushtetuta, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullorja e Kuvendit.

“Përgjegjësia juaj është të mundësoni zhvillimin dhe vazhdimin e seancës deri në konstituimin e Kuvendit”, thuhet më tej në letër.

PDK-ja kërkon nga Dehari që pa vonesa të mëtejshme ta thërrasë sot seancën konstituive në ora 11:00, duke argumentuar se kështu do të mundësohej ushtrimi i mandatit kushtetues të deputetëve të zgjedhur.

Komento: