Partia Demokratike e Kosovës (PDK) i është kundërpërgjigjur Lëvizjes Vetëvendosje pas videos së dytë “çka ka çka s’ka”.
PDK-ja në videon e saj e ka trajtuar skandalin e raportuar të Maritn Berishajt, duke thënë se “Çka ka Albini – kallxon Martini”.
Partia opozitare tregon sesi skandali i madh financiar ka marrë përmasa ballkanike.
“Historia e aferës milionëshe e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, akuzat e ngritura ndaj tij, mbrojtja e pakuptueshme dhe e dyshimtë nga krerët institucional, lidhja me Kryeministrin Kurti dhe financimin e fushatës së Lëvizjes Vetëvendosje! Përkundër përpjekjeve, e vërteta nuk do të mund të fshihet”, thuhet ndër tjerash në videon e PDK-së.
Kjo parti politike në mënyrë kronologjike ka treguar fillimin e skandalit e deri në raportimet e fundit që e përfshijnë Martin Berishajn në një skandal financiar.
Berishaj në Kosovë është duke u hetuar për shmangie të tatimit.
Presidenca dhe Ministria e Punëve të Jashtme kanë refuzuar ta shkarkojnë atë përkundër kërkesës së vazhdueshme të opozitës.