Partia Demokratike e Kosovës dënon ashpër aktin kriminal të hedhjes së një granate dore në ndërtesën komunale në Zveçan, që shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale dhe shkatërroi disa automjete.
Në reagim thuhet se ky sulm i ulët është një përpjekje e qartë për të frikësuar kryetarin e Komunës së Zveçanit, Ilir Peci, dhe ekipin e tij, të cilët po punojnë pa u ndalur për të mirën e të gjithë qytetarëve, pa dallim.
” Akte të tilla dhune nuk kanë vend në shoqërinë tonë. Ato kërcënojnë sigurinë e qytetarëve, minojnë proceset demokratike dhe synojnë destabilizimin e institucioneve tona. Kryetari Ilir Peci përfaqëson angazhimin tonë për një Kosovë më të bashkuar dhe më të mirë, ku të gjithë qytetarët trajtohen të barabartë. Këto përpjekje duhet të mbështeten, e jo të sabotohen”, thuhet në reagim.
PDK-ja po ashtu u bën thirrje organeve të rendit dhe sistemit të drejtësisë që të hetojnë me urgjencë këtë rast, të identifikojnë autorët dhe t’i vënë ata para drejtësisë.
“Siguria dhe mirëqenia e qytetarëve tanë duhet të mbeten përparësi e lartë, dhe pandëshkueshmëria për akte të tilla nuk mund të tolerohet. Si PDK, e ripërsërisimin kërkesën tonë ndaj organeve të rendit që t’i ofrojnë mbrojtje dhe të garantojnë sigurinë e kryetarit dhe zyrtarëve tjerë të Komunës së Zveçanit. Partia Demokratike e Kosovës qëndron fuqishëm pranë kryetarit Peci dhe qytetarëve të Zveçanit. Nuk do të lejojmë që frika dhe dhuna të pengojnë përparimin tonë të përbashkët drejt një Kosove më të mirë për të gjithë”, thuhet në reagim.