PDK-ja e kundërshton planin e Qeverisë për caktimin e çmimeve tavan për produktet esenciale

13:14 | 17 October 2022

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka kundërshtuar planin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e çmimeve tavan për produktet esenciale.

Sipas tij, kjo është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Pos kësaj, Tahiri pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, ka thënë se për këtë projektligj nuk është bërë analizë.

“Po flasim për një projekt ligj i cili i jep mundësi Qeverisë të ndërhyj në treg, në përcaktimin e çmimeve të disa produkteve, mendoj që këtu kemi të bëjmë me një Projektligj i cili nuk është bë një analizë qysh duhet, nuk është bërë një analizë e mirë, një Projektligj që bjen në ndesh me kushtetutën e Republikës së Kosovës”, ka thënë Tahiri.

Ai ka deklaruar se nuk duhet të shkelet kushtetuta, teksa ka theksuar se ekonomia e tregut është një e drejtë e qytetarëve.

Këtë plan të ekzekutivit e ka kumtuar shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.

“Pika e parë është shqyrtimi i projektligjit për mbështetje e punëve publike, projekt ligj ky i cili parasheh kompensimin komformë të normës së inflacionit prej muajit prill të këtij viti për të gjitha kontratat publike e dorëzuar në kuvend dy javë më parë dhe tashme i ka plotësuar të gjitha kushtet që të hy në seancë të rregullte. Projektligji i dytë është ai për masa të përkohshme e produkteve themelore në rast të veçanta të destabilizimit në treg, ky projektligj parasheh vendosjen e një çmimi tavan për produktet e listës esenciale dhe tashmë edhe ky i ka plotësuar të gjitha kushtet që të trajtohet në kuvend në seancë të rregullt”, ka thënë Kusari-Lila.

Komento: