
Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës janë larguar nga mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), menjëherë pas konstituimit të tij.
Ata kanë bërë të ditur se vendimi për t’u larguar lidhet me kërkesën e PDK-së që në Kuvend të procedohet sa më shpejt plotësim-ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Deputetja Besa Kabashi-Ramaj tha se PDK-ja e konsideron funksionalizimin e komisioneve parlamentare të rëndësishëm, por sipas saj, në rrethanat aktuale çështja e Dhomave të Specializuara duhet të trajtohet me prioritet.
“Konstituimi i institucioneve është shumë i rëndësishëm dhe prandaj edhe ishim pjesë e këtij komisioni. Mirëpo, pas konstituimit u larguam, sepse për momentin nuk ka prioritet më të madh për Republikën e Kosovës sesa procedimi i plotësim-ndryshimit të Ligjit për Specialen”, tha ajo.
Në të njëjtën linjë u shpreh edhe deputeti Rrahman Rama. Ai deklaroi se PDK-ja nuk do të marrë pjesë në mbledhjet e komisioneve të tjera parlamentare deri në procedimin e këtij ligji.
“Për ne është prioritet mbi prioritetet. Nuk do të marrim pjesë në asnjë komision pa u kryer ky ligj”, deklaroi Rama.
Ai tha se PDK-ja pret që Qeveria ta përmbushë zotimin për ta proceduar projektligjin brenda kësaj jave, duke theksuar se partia kërkon që procedurat të nisin sa më shpejt.
Rama foli edhe për takimet e paralajmëruara ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, për çështjen e zgjedhjes së presidentit.
Sipas tij, para diskutimeve për këtë çështje, PDK-ja kërkon që të trajtohet Ligji për Dhomat e Specializuara, përfshirë mbikëqyrjen e procesit dhe sigurimin e përkrahjes financiare.
“Për ne prioritet është që Ligji për Dhomat e Specializuara të ketë mbikëqyrje të procesit dhe përkrahje financiare. Pas kësaj mund të ulemi dhe të diskutojmë edhe për çështjet e tjera, përfshirë funksionalizimin sa më të shpejtë të institucioneve”, tha Rama./eo