Sokol Bashota zgjidhet kryetar i Degës së PDK-së në Klinë.
Ish-Kryetari i Klinës, Sokol Bashota do ta udhëheqë PDK-në në këtë qytet edhe për katër vjet.
Kjo për shkak se sot ai është zgjedhur Shef i Partisë në Klinë, në Kuvendin Zgjedhor, që është mbajtur.
Betim Gjoshi, zyrtar i PDK-së që ka mbikëqyrë zgjedhjet partiake, ka thënë se Bashota është votuar për Kryetar të Degës në Klinë.
“z. Bashota është zgjedhur Kryetar i Degës së PDK-së në Klinë”, ka thënë Gjoshi, për Express, të shtunën.
Në zgjedhjet e fundit komunale, Bashota kishte humbur garën për Kryetar Komune.
Përpos Kryetar i Klinës, Bashota ka qenë edhe pjesë e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale në Qeverinë e Përkohshme, deputet në Parlament prej 2003 deri më 2007.
Ky është kryetari i dytë i degëve të PDK-së që rimerr udhëheqjen e partisë dhe ka probleme me ligjin.
Bashota është duke u përballur me akuza nga Prokuroria lidhur me punën sa ishte Shef i Komunës.
Edhe Kryetari i Degës së PDK-së në Gjilan, Qemajl Mustafa, është rizgjedhur në krye të Degës.
Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, kishte premtuar se asnjë person që ka dosje në polici e prokurori nuk do të lejohet të jetë pjesë e PDK-së e as të udhëheq me degët e kësaj partie.