PDK kërkon angazhim të plotë institucional për situatën me vërshimet

16:56 | 06 Janar 2026
PDK kërkon angazhim të plotë institucional për situatën me vërshimet

Partia Demokratike e Kosovës përmes një komunikate për media ka shprehur solidaritetin e plotë me të gjitha komunat e Kosovës dhe me çdo qytetar që është prekur nga vërshimet e shkaktuara si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut.

PDK u ka bërë thirrje institucioneve qendrore që të marrin përgjegjësinë e plotë që u takon, duke aktivizuar të gjitha mekanizmat shtetërorë për menaxhimin e situatës emergjente.

“Ndihma për komunat e prekura, familjet dhe bizneset duhet të jetë e shpejtë, e drejtë dhe pa burokraci të panevojshme. Në këto momente, prioritet absolut duhet të jetë siguria e qytetarëve, mbrojtja e jetës dhe pronës, si dhe rikthimi sa më i shpejtë i normalitetit në zonat e prekura. Partia Demokratike e Kosovës, përveçse qëndron pranë qytetarëve në çdo komunë të vendit, i siguron qytetarët se në komunat ku qeveris është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e mundshme institucionale për t’u dalë në ndihmë, në mënyrë që askush të mos mbetet i vetëm në përballimin e kësaj situate të vështirë”, shkruhet ndër tjerash në komunikatën e PDK-së.

Komento: