PDK kërkon që Mitrovica të shkojë në rivotim: Edhe nëse ka pasur gabim teknik në fletëvotime, procesi është dëmtuar

14:02 | 11 Nëntor 2025
Në këtë orë pritet të votojë nesër Memli Krasniqi dhe kandidatët për kryetarë komunash nga PDK-ja

Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se do të kërkojnë rivotim në Mitrovicë, pas parregullsive të raportuara me fletëvotime. PDK ka thënë se kërkesën për rivotim do ta paraqesin në ankesën që do ta dorëzojnë sot në PZAP.

Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda ka thënë se ka pasur bartje të fletëvotimeve nga një klasë në tjetrën, e nga një shkollë në tjetrën. Ai ka thënë se edhe nëse del që ka pasur vetëm gabim teknik, kjo nuk e zhbën faktin që Mitrovica të shkojë në rivotim.

“PDK kërkon që Mitrovica të shkojë menjëherë në rivotim, sepse janë disa qendra të mëdha ku janë vërejtur parregullsi. Kërkesën për rivotim do ta paraqesim në ankesën tonë në PZAP.

Edhe nëse del që është gabim teknik, kjo nuk e zhbën faktin që Mitrovica duhet të shkojë në rivotim. Ky gabim teknik ka ndikim thelbësor në procesin zgjedhor”, ka thënë Gruda.

Ai tha se do të kërkojnë që kamerat e sigurisë që ndodhen në klasa të administrohen si prova nga ana e Prokurorisë.

“Bartja e fletëvotimeve nga një klasë në klasën tjetër, nga një shkollë në tjetër nuk ka guxuar të ndodhë. Kodi në vendvotime dhe fletëvotime shërben si element i identifikues i fletëvotimit dhe vendvotimit dhe si kod i sigurisë, element themelor i integritetit zgjedhor. Çështja e kodit në fletëvotime nuk është thjesht çështje teknike, por r thelbësore që ndikon në sigurinë e votës dhe legjitimiteti zgjedhor.

Në aq kuti sa janë numëruar deri më tani në Mitrovicë është vërejtë se ka fletëvotime të shumta që janë bartur nga një klasë në tjetrën dhe një shkollë në tjetër. Po ashtu Mitrovica është e vetmja komunë, ku ka pasur dalje më të madhe në votime se në rundin e parë.

Këto janë shkelje të qarta të ligjit për zgjedhjet dhe ngre dëshmi të bazuara për lëndim të procesit zgjedhor dhe aktivizim të të ashtuquajturit “treni bullgar”, të cilin për ta vënë në aktivizim mjafton një fletëvotim i vetëm. Në këtë rast janë gjetur më shumë fletëvotime. PDK sot do të dorëzojë ankesë në PZAP me provat relevante nga ky manipulim. Kërkojmë që kamerat që ndodhen në klasa të administrohen si prova nga ana e Prokurorisë”, tha Gruda.

Komento: