Që të tria partitë e opozitës, në programin e tyre e kanë ndërtimin e një rrjeti të shpërndarjes dhe furnizimit me gaz natyror.
Në programin e partisë e PDK-së, në pjesën ku flitet për projektin për gazifikimin e Kosovës, përmendet një studim i hollësishëm për ndërtimin e një rrjeti të shpërndarjes dhe furnizimit me gaz natyror.
“Ky projekt strategjik do t’i diversifikojë burimet e energjisë dhe do ta përmirësojë infrastrukturën energjetike, duke siguruar një burim më të pastër, të përballueshëm dhe të qëndrueshëm energjie. Furnizimi me gaz do t’i ulë kostot e jetesës për qytetarët dhe bizneset, pasi gazi natyror është një zgjidhje më e leverdishme për ngrohje dhe gatim. Ky projekt do ta përmirësojë jetën e qytetarëve dhe do t’i shkurtojë shpenzimet operative të bizneseve, duke rritur konkurrencën dhe qëndrueshmërinë ekonomike të vendit. Studimi do t’i shqyrtojë mundësitë e ndërtimit të rrjetit të furnizimit me gaz natyror dhe do t’i identifikojë rrugët më të përshtatshme për lidhjen me furnizues rajonalë dhe ndërkombëtarë. Ky projekt do të kontribuojë në sigurinë energjetike dhe do ta rrisë aftësinë e Kosovës për t’i përballuar sfidat energjetike të së ardhmes, duke krijuar një bazë të qëndrueshme për zhvillim ekonomik dhe social”, thuhet në programin e PDK-së.
Ndërsa, në programin e LDK-së, parashihet ndërtimi i një centrali të ri me gaz, me kapacitet prej gjithsej 500 MW, për sigurimin e energjisë bazë dhe për balancimin e sistemit, duke mundësuar tranzicionin nga linjiti drejt burimeve të ripërtërishme të gjenerimit të energjisë.
“Ky lloj centrali do të përdoret edhe për nevoja momentale të furnizimit me energji elektrike, edhe për nevoja të balancimit të sistemit të furnizimit me energji elektrike, marrë parasysh veçorinë e tyre të futjes rapide në sistem brenda pak orëve. Çmimi i ndërtimit të centralit me gaz vlerësohet të jetë rreth 500 milionë euro, përderisa periudha e ndërtimit do të jetë 4 deri në 5 vite. Furnizimi i këtij centrali me gaz natyror të lëngshëm (LNG) amerikan i jep sigurinë e domosdoshme Kosovës. Gazi i jep bazën për tranzicion energjetik drejt energjisë së pastër. Centrali i ri i jep qëndrueshmërinë energjetike Kosovës”, thuhet ndër të tjera në programin e LDK-së.
Për gazifikimin, LDK thotë se furnizimi me gaz amerikan LNG do të sigurohet nga kyçja në Shkup të Maqedonisë së Veriut, me burim në Aleksandropolis të Greqisë. Linja e gazit, përveç se do të shërbeje për sigurimin e lëndës së parë për Termocentralin e ri me Gaz, do të vazhdojë të shtrohet edhe për Prishtinë e deri në Mitrovicë.
Edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ditë më parë është deklaruar për lidhjen me gazin amerikan. Refuzimin e projektit të gazsjellësit amerikan nga Kurti, Haradinaj e kishte cilësuar si veprim të rrezikshëm kundër interesave të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.