
Partia Demokratike e Kosovës është duke mbajtur aktualisht mbledhjen e Kryesisë, ku pjesëmarrës janë edhe kryetarët e komunave që drejtohen nga kjo parti, si dhe anëtarë të tjerë.
Sipas KosovaPress-it, në mbledhje po diskutohet për organizimin e marshit të 12 shtatorit, i cili do të mbahet para shpalljes së vendimit ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.
Ndërkohë, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, është deklaruar edhe për marrëveshjen e arritur sot mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për kandidatin për president të Kosovës.
Musliu ka thënë se për të nuk ka asgjë të re lidhur me emrin e propozuar, duke theksuar se kandidatura e Bekim Sejdiut ka qenë e ditur.
“Njëjtë, siç e kam parë dje e pardje, asgjë e re. Ka qenë e ditur”, tha shkurt Musliu.
LVV-ja dhe LDK-ja sot janë dakorduar për emrin e Bekim Sejdiut për president të Kosovës.
Ndërkohë, Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituuar, pasi në dy tentimet e deritanishme nuk është arritur të zgjidhet kryetari i Kuvendit dhe të përmbyllet procesi i konstituimit të Legjislaturës së 11-të.