Partia Demokratike është duke i mbajtur zgjedhjet e brendshme në gjithë vendin.
Pushtetin e ka mbajtur aq gjatë, saqë i është kthyer kundër. Aktivistët e vjetër e shohin daljen në opozitë zgjidhje për filtrim të brendshëm, derisa “Dekada e re” nuk ia doli që ta distancojë nga trashëgimia e deritashme qeverisëse, shkruan sot “Koha Ditore”.
Asnjë ndryshim nuk ia kanë sjellë Partisë Demokratike të Kosovës muajt e fundit. Zgjedhjet e brendshme, që janë përcjellë me tensione e përleshje fizike, kanë rikonfirmuar kuadrot e vjetra, kanë akomoduar njerëz me aktakuza, e në fare pak raste kanë promovuar njerëz të rinj.
Nehat Mustafa është ndër themeluesit e PDK-së në Ferizaj. Para zgjedhjeve partiake ka qenë nënkryetar i parë në degë, por ka refuzuar t’i nënshtrohet procesit. Ai ka treguar pse e ka bërë këtë.
“Një arsye tjetër, e cila ka bërë që të mos marr pjesë në Kuvendin e degës kanë qenë improvizimet e shumta, dhe mbi të gjitha presioni që i është bërë një kandidati që të tërhiqet nga gara për kryetar të degës. Aty e kam parë që ekziston frika nga cilido që të kandidohet”, ka thënë Mustafa. “Aty e kam parë që nuk ia vlen që të merret pjesë në një kuvend ku paraprakisht janë të përcaktuar edhe fituesit dhe është e përcaktuar ndoshta edhe mënyra se si do të bëhet udhëheqja e ardhshme e degës”.
Ky nuk është një rast i izoluar. Pakënaqësi ka pasur gjithandej degëve. Në disa komuna janë shënuar përleshje e janë shkëmbyer grushte.
Në Pejë janë shkëmbyer edhe grushte mes mbështetësve të Xhavit Halitit, që e mori Pejën, dhe Adem Grabovcit, kryepersonazhit të aferës “Pronto”. Përleshje ka pasur edhe në Istog.
Tensionet e kanë përfshirë edhe bastionin më të madh të PDK-së, Drenicën. Në Skenderaj ngadhënjeu tabori i Sami Lushtakut, kundrejt atij të deputetëve Bekim Haxhiu e Nuredin Lushtaku, të cilët bashkërisht në zgjedhjet e fundit lokale mbështetën Bekim Jasharin që doli si kandidat i pavarur. Një përplasje fizike mes këtyre grupacioneve është shënuar derisa zgjedhjet mbaheshin në Klinë të Mesme, një fshat në periferi të Skenderajt.
Drenasi, një komunë tjetër e Drenicës, qeveriset nga Ramiz Lladrovci, kundër të cilit ishte dega kur ai ishte propozuar nga qendra.