PDK rezerva për propozimin evropian, Krasniqi flet me ambasadorin e Francës

16:40 | 08 Mars 2023

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, njofton se e ka takuar sot ambasadorin francez në Kosovë, Olivier Guerot.

Krasniqi thotë se diplomatit francez ia ka shprehur rezervat që partia më e madhe opozitare i ka kundrejt propozimit evropian, i njohur edhe si “plani franko-gjerman”.

Kreu i PDK-së shkruan se thelbi i pakënaësisë së tyre te propozimi evropian është mungesa e njohjes reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, dhe se këtë ia ka shprehur ambasadorit Guerot.

Shkrimi i plotë:

Pata kënaqësinë të pres në takim ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guerot, me të cilin diskutuam rreth situatës aktuale politike në vend dhe zhvillimeve në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Ambasadorit Guerot, i shpreha qëndrimet e Partisë Demokratike të Kosovës rreth këtij procesi dhe rezervat që i kemi shfaqur edhe publikisht lidhur me marrëveshjen aktuale të prezantuar, duke u fokusuar posaçërisht në mungesën e njohjes së ndërsjellë si rezultat përfundimtar i procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

PDK mbetet e përkushtuar për bashkëpunim të vazhdueshëm dhe koordinim konstruktiv me aleatët tanë ndërkombëtarë, gjithmonë në funksion të arritjes së qëllimeve tona shtetërore.

Komento: