PDK shkëput komunikimin me Kurtin e Osmanin, kërkon shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme

19:39 | 03 Korrik 2023

PDK shkëput komunikimin me Kurtin e Osmanin, kërkon shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, pas mbledhjes së këshillit drejtues të kësaj partie, të hënën ka treguar një sërë veprimesh që do t’i ndërmarrin si parti opozitare ndaj Qeverisë së Kosovës.

Memli Krasniqi ka kërkuar shpalljen e datave për zgjedhje të parakohshme, qoftë përmes dorëheqjes së kryeministrit Kurti, qoftë përmes shpërndarjes së kuvendit.

Ai paralajmëroi bojkot, duke thënë se PDK nuk do të votojë në asnjë forum, për asnjë ligj, vendim, rezolutë apo marrëveshje.

“Në një kohë sa më të shpejtë të shpallet data për zgjedhje të përgjithshme të parakohshme, qoftë përmes dorëheqjes së kryeministrit Kurti, qoftë përmes shpërndarjes së kuvendit. Nga sot s’do të votojmë në asnjë forum, as ligje, as vendime, as rezoluta, as marrëveshje, sepse situata në Kosovë nuk është normale dhe ne s’mund ta simulojmë normalitetin”, ka thënë Krasniqi në konferencën e sotme për media.

“Nga sot shkëpusim dhe pezullojmë çdo lloj komunikimi zyrtar me kryeministrin Kurti dhe presidenten përveç në situata emergjente, dhe për të diskutuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme të përgjithshme:, ka shtuar ai.

“Kosova është shtet i izoluar e i sanksionuar ë për turpin e tyre na ka futur Kosovën në rang me Bjellorusinë, Rusinë, Moldavinë e Republikën Srbska”, ka thënë Krasniqi.

Kryetari i PDK-së tha se Kosovës i duhet një lëvizje e përgjithshme për të ndalur rrënimin që po i bën Kurti Kosovës.

“Sot është qëllim fisnik të ndalim sa më herët pushtetin autoritar të Kurtit”, ka deklaruar ai.

Ai foli edhe për mocionin e mosbesimit të përmendur nga kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

“Mocioni i mosbesimit, ku është se nuk po e shoh, nuk mjafton të ndërrohet tema. Mocioni është ndërrim i temës, nuk mjafton të shkohet në kuvend me 40 nënshkrime, se duhet të shkohet në seancë, kjo dështon dhe i sigurohen Kurtit edhe tre muaj, tri ditë janë shumë”, ka dekalruar Memli Krasniqi.

Komento: