PDK S’merr pjesë në seancë, Krasniqi: S’bëhemi pjesë e ikjes së Kurtit nga përgjegjësia – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

PDK S’merr pjesë në seancë, Krasniqi: S’bëhemi pjesë e ikjes së Kurtit nga përgjegjësia

14:19 | 15 Janar 2022

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se PDK-ja i ka shprehur qëndrimet e saj për referendumin serb dhe se nuk ka asnjë aryse që të mblidhet Kuvendit për të diskutuar më shumë për këtë temë.

Sipas tij, nëse qëllimi i seancës së sotme të jashtëzakonshme është që Kurti ta gjuajë përgjegjësinë ndaj Qeveria te Kuvendi, atëherë siç ka thënë, ai po frikësohet.

“Partia Demokratike e Kosovës dhe partitë e tjera opozitare i kanë shprehur qëndrimet e tyre që janë në linjë me qëndrimin e Qeverisë. Andaj, çfarë arsye ka që të mbledhet Kuvendi për të diskutuar më shumë për këtë temë? Për t’ia rishprehur këto qëndrime njëri-tjetrit? Apo për të gjuajtur përgjegjësinë nga Qeveria te Kuvendi? Nëse ky është qëllimi, atëherë Kryeministri po frikësohet. Sepse, kompetenca dhe autoriteti është i Qeverisë për të vendosur moslejimin e referendumit dhe për ta zbatuar atë vendim. Pse pra kërkon Kryeministri seancë, nëse ligjërisht kjo është e panevojshme?”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Sipas tij, referendumi i Serbisë në Kosovë do të ishte antikushtetues dhe si i tillë është i papranueshëm dhe nuk duhet lejuar, duke shtuar se Kushtetutën e ruajnë instrumentet e pushtetit ekzekutiv e jo Rezolutat e Kuvendit.

“Prandaj, PDK sot nuk merr pjesë në seancë, sepse nuk duam që të bëhemi pjesë e ikjes së Kryeminstrit nga përgjegjësia e tij ligjore e kushtetuese e as pjesë e shout të tij politik të paramenduar. Krejt çka duhet të bëjë Kryeministri është që të mos tërhiqet nga qëndrimi i tij dhe të sigurojë zbatimin e vendimit për të mos lejuar mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë. Ai për këto veprime e ka mbështetjen edhe të partive opozitare, andaj nuk ka nevojë të fshihet pas seancës së sotme të Kuvendit”, ka përfunduar shkrimin e tij Krasniqi.

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit lidhur me kërkesën e Serbisë për mbajtjen e referendumit të saj brenda Kosovës, për ndryshime kushtetuese, do të mbahet sot në ora 14:00.

Komento: