Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se angazhimi për arritjen e qëllimeve në dialogun Kosovë-Serbi nuk mund të shmanget nga askush.
Tutje përmes një postimi në Facebook, kreu i PDK-së thotë se kjo përgjegjësi nuk mund të bëhet në mënyrë të fshehtë, as në restaurante e as në Twitter, por siç thotë ai duhet të bëhet përballë qytetarëve dhe deputetëve në Kuvendin e Kosovës.
“Qëllimet e shtetit tonë në dialog me Serbinë janë të njohura. Angazhimi për arritjen e këtyre qëllimeve është përgjegjësi nga e cila nuk mund të shmanget askush. Ushtrimi i kësaj përgjegjësie nuk mund të bëhet në mënyrë të fshehtë, as nëpër restorante, e as me postime në twitter, por përmes transparencës së plotë përballë qytetarëve e përfaqësuesve të qytetarëve në Kuvendin e Kosovës”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
I pari i kësaj partie thotë se PDK ka kërkuar edhe seancë të veçantë për dialogun.
Tutje ai thotë se të hënën, më 13 shkurt ky debat do të shtrohet në Kuvend.
“Prandaj, si Grup Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, sot kemi kërkuar edhe zyrtarisht një seancë plenare të veçantë, në mënyrë që me kryeministrin Kurti të debatojmë hapur për të gjitha temat e çështjet rreth zhvillimeve të ndërlidhura me dialogun Kosovë-Serbi. Me iniciativën tonë, të hënën, më 13 shkurt 2023, këtë debat do ta shtrojmë në Kuvend, aty ku edhe e ka vendin që të shtrohet e diskutohet detajisht kjo çështje”, përfundon kreu i PDK-së në Facebook.
Opozita edhe sot në seancën e Kuvendit të Kosovës kërkoi seancë të jashtëzakonshme për dialogun, por që ky mocion nuk u votua nga Lëvizja Vetëvendosje.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti tha se ai është i gatshëm të flas në detaje për propozimin e BE-së, por në një seancë me dyer të mbyllura, pasi siç tha ai detajet nuk mund të dalin në publik, dhe se seanca duhet të thirret nga opozita e jo nga ai.