Parlamenti Evropian: Negociatat për liberalizmin e vizave për Kosovën mund të nisin në dhjetor.
Të mërkurën e 30 nëntorit, ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian ia dhanë mandatin Këshillit Evropian, që të negociojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën me Parlamentin Evropian.
Lidhur me këtë vendim, nga Parlamenti Evropian kanë deklaruar se negociatat për procedurat tutje në liberalizim të vizave për Kosovën, ka gjasa që të fillojnë në dhjetor.
“Parlamenti Evropian është në përgatitje të negociatave me Këshillin. Ka gjasa që takimet trilaterale (Parlamenti, Këshilli dhe Komisioni) të zhvillohen në dhjetor dhe do të duhen disa takime për të arritur një marrëveshje. Pasi legjislacioni të jetë finalizuar dhe miratuar nga seanca plenare e PE-së dhe nga Këshilli, marrëveshja aktuale e liberalizimit duhet të negociohet në mënyrë dypalëshe midis vendit të tretë dhe Komisionit Evropian”, thuhet në përgjigjen e PE’së për Klan Kosova.
Sipas vendimit të fundit, që u morr të mërkurën, liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës do të ndodh më së largu me 1 janar 2024.
Nga Presidenca çeke, thanë se ky është një hap i rëndësishëm dhe se puna do vazhdojë me Parlamentin Evropian për ta realizuar.
“Sot kemi bërë një hap të rëndësishëm drejt udhëtimit pa viza për Kosovën dhe tani shpresojmë që të arrijmë një marrëveshje me Parlamentin Evropian shpejt për ta bërë realitet këtë premtim. Liberalizimi i vizave është bërë i mundur nga përpjekjet e Kosovës për të forcuar kontrollet e saj kufitare, menaxhimin e migracionit dhe sigurinë, dhe ne besojmë se ky bashkëpunim i mirë vetëm do të forcohet në të ardhmen”, ka thënë ai.
Drafti ua mundëson qytetarëve me pasaporta të Kosovës të udhëtojnë pa viza drejt BE-së për 90 ditë në periudhë gjashtëmuajshe.
Liberalizimi i vizave për Kosovën do të ndërlidhet me funksionalizimin e sistemit ETIAS, që pritet të hyjë në fuqi më 1 nëntor 2023.
ETIAS është një sistem i ri, i cili pritet të vihet në funksion nga Bashkimi Evropian, ku qytetarët e shteteve që kanë liberalizim të vizave duhet të regjistrohen para se të udhëtojnë. Një regjistrim pastaj do të ishte i vlefshëm për tre vjet.