Ish-ambasadori dhe drejtori i Institutit KIPRED, Lulzim Peci, ka pasqyruar situatën e krijuar pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për çështjen e targave ilegale.
Pasi Qeveria e Kosovës nuk e pranoi shtyrjen e afatit për ndërrimin e targave ilegale në veri të vendit, tani përpos suspendimi të këtij vendimi, po kërkohet nga SHBA-ja dhe BE-ja edhe zbatimi i marrëveshjes për Asociacionin.
Por, Peci konsideron se Asociacioni nuk mund të vihet në jetë pa i pasur komplet funksionale institucionet komunale në veri të vendit.
Ai shtoi Lista Serbe dhe Serbia e din shumë mirë se pa qenë pjesë e institucioneve, Asociacioni nuk mund të realizohet, e për këtë, sipas tij, largimi nga institucionet po bëhet me qëllim që të ketë një status të veçantë autonom apo shkëputjen de-fakto të veriut.
“Me vendimin e Listës Serbe për t’u larguar nga institucionet po tregohet se ata nuk e kanë për qëllim Asociacionin, por një status të veçantë autonom apo shkëputjen de-fakto të veriut. Kjo dëshmohet me faktin se komuniteti serb në pjesët tjera të vendit, është duke e zhvilluar jetën e tij institucionale në mënyrë normale”, tha ai.
Peci theksoi se në këtë situatë, Kosova ka bërë autogol.
“Mirëpo, fatkeqësisht në këto rrethana, fokusi është duke u bartur nga ”propozimi franko-gjerman” për normalizimin e relacioneve në mes Kosovës dhe Serbisë, në normalizimin e situatës në veri të vendit, dhe kjo me së paku i shkon për shtati vendit tonë. Me vetëdije apo pa vetëdije i kemi dhënë vetes një autogol”.
Sipas tij, tani duhet të bëhet përpjekje që Kosova të fitojë pasi është ndodhet në mesin e një loje – për ta fituar këtë lojë, Peci thotë se Kosova duhet të mbrohet përmes partneriteteve dhe aleancave me vendet kyçe të perëndimit.
“Për ta fituar këtë lojë duhet ta kemi të qartë se politika është art i së mundshmes, dhe jo art i drejtësisë, pasi vetëm e drejta nuk e mbron asnjë vend në marrëdhëniet ndërkombëtare. Në rastin e vendeve të vogla, çfarë është Kosova, ato mbrohen përmes partneriteteve dhe aleancave me vendet kyçe të perëndimit. Kam frikë se këtu i kemi përzi kabllot e politike bërjes, si në kuptimin e politikës ashtu edhe të drejtës në marrëdhëniet ndërkombëtare”, deklaroi Peci.