Pedofili nga Gjakova pranon gjithçka, u ka dërguar foto dhe video të rënda fëmijëve

15:24 | 06 March 2019

Rastet e pedofelisë në Kosovë janë shtuar shumë.

Për një kohë të gjatë, 44-vjeçari (L. K.) nga Gjakova, me profesion kasap, u hetua pasi që në Facebook-un e tij u identifikuan pamje pornografike që ua kishte dërguar disa vajzave të mitura.

Babai i dy fëmijëve u arrestua nga Policia e Kosovës, nën dyshimet për keqpërdorim të fëmijëve, e fajin e pranoi para Prokurorisë në Prishtinë, nën arsyetimin se nuk e kishte ditur se bëhej fjalë për vajza të mitura.

Njëjtë ai është deklaruar edhe për Gazetën Express, duke thënë se me to kishte komunikuar në gjuhën çeke dhe u kishte përcjellë pamje pornografike.

44-vjeçari, L.K. (me të cilin ka biseduar gazeta), nga Gjakova dyshohet se përdori telefonin e tij e rrjetin social Facebook për të dërguar foto e video intime për një kohë të gjatë te disa vajza të mitura.

Të shqetësuara nga pamjet, të njëjtat e raportuan rastin në Facebook, e pamjet që iu dërguan i konsideruan si pornografike e me përmbajtje shqetësuese.

Për një kohë, llogaria e tij, ku i njëjti ka fotografitë personale, e madje edhe ato familjare u hetua, derisa për të u lëshua fletë arrest.

Drejtoria për Krim të Organizuar, Sektori për Hetime të Krimeve Kibernetike e arrestoi L.K. një javë më parë, derisa i njëjti pranoi para Prokurorisë Themelore në Prishtinë se kishte nisur foto dhe video me përmbajtje shqetësuese nën arsyetimin se këtë e ka bërë për qejf e kur kishte kohë të lirë, pa e ditur se po bënte vepër penale.

Gazeta Express gjatë ditës ka qëndruar në familjen Kusari në Gjakovë, teksa 44-vjeçari që iu është caktuar masa e ndalimit për 48 orë pohon se ka kryer veprat për të cilat po hetohet për një periudhë një vjeçare.

Në njërën nga llogaritë e tij në Facebook nga dy sa janë me emër e mbiemër të burrit nga Gjakova, figurojnë një numër i madh i vajzave të mitura me të cilat ai ka miqësi virtuale.

Nga 92 miq sa ka gjithsej në njërin nga profilet, 90% janë vajza të mitura me origjinë të huaj.

Ndërkaq, në llogarinë tjetër ka vetëm një shok, po ashtu vajzë e mitur. Deri te vënia e tij nën pranga erdhi pas disa raportimeve, që i bënë të njëjtat atij në Facebook.

Krejt këtë histori, babai i dy fëmijëve po e pranon, madje, duke dhënë edhe detaje se sa kishte zgjatur komunikimi me to, për sa persona bëhet fjale e me çfarë gjuhe kishte komunikuar me të njëjtat.

Gjatë bastisjes që kanë bërë policia, atij iu është konfiskua edhe një telefon, për të cilin thotë se ja kishte dhënë tash e një kohë për përdorim djalit.

“Policia u kanë në bastisje me konfisku kurgjo skanë konfisku një telefon të djalit Në fakt telefoni u kanë i jemi unë në atë kohë ja kam dhanë atij se ska pas telefon. E kanë dërgu një patrollë në ndalim më kanë mbajt për 24 orë të nesërmen me kanë qu në prokurori në Prishtinë”, thotë ai, duke treguar edhe për deklaratën që e kishte dhënë edhe para prokurorisë ku pranon se kishte biseduar siç thotë ai “të huaj” përmes Facebook’ut.

“Kurgjo një deklaratë e kam dhanë edhe me kanë liru. Po dyshojnë për bisedime me të hujt që kam bisedu. Po e kam pranu që kam bisedu. Një vit ka zgjatë koha sa kam bisedu, nuk e di sa vajza kanë qenë të përfshira”, shton ai. Përveç përfshirjes në biseda, ai po thotë se ju ka dërguar edhe video intime e këtë e ka bërë vetëm për qejf.

“Ju kam dërgu edhe më kanë dërgu. Jo veq për qejf kam fol me to, humbje kohe”, thotë L.K, por, duke shtuar se nuk e ka ditur se në çfarë moshe ishin personat te të cilët niste foto e video pornografike.

“Aty për moshën se kum kshyr valla veç ato po thonë se kanë qenë të mitura. Me siguri ato më kanë raportu në polici. As që e kam ditë as qe mka interesu për moshën me ditë po veç hajt qaty”, vazhdon, duke shtuar se krejt ky rast është marrë vesh edhe nga të afërmit e familja pas arrestimit.

“Po e kam pranu rastin, kam tregu drejtë”, thotë shkurtimisht, duke iu përgjigjur pyetjes se a keni menduar se ato që ia ka dërguar ishin me përmbajtje shqetësuese duke thënë se sigurisht, përderisa të njëjtat e kanë denoncuar rastin. Kontaktet me vajzat, për të cilat thotë se nuk e ka ditur sa vjeçar ishin e kishte bërë gjatë ditës dhe në gjuhën çeke.

“Ditën kemi bisedu kanë qenë disa persona. Kemi komunikuar në gjuhë çeke nuk ka pas ndonjë kosovare të përfshime nuk ka pas shqiptare, nuk e di gjuhën kemi biseduar me Google Translate”, deklarohet, duke shtuar se këto biseda i kishte bërë deri në fund të vitit 2018-të.

Në fund, shton se nuk e ka ditur se dërgimi i fotove dhe videove përbën vepër penale e këtë punë ia ka lënë në dorë drejtësisë.

Versioni i Prokurorisë

Prokuroria Themelore në Prishtinë, që ka rastin e L.K ka bërë të ditur për Express se kanë dhënë urdhëresë për bastisje të shtëpisë së tij dhe një urdhëresë që atij t’i sekuestrohet telefoni, me të cilin dyshohet se janë dërguar videot dhe fotot me përmbajtje pornografike.

“Ju njoftojmë se më 27.02.2019, kemi pranuar kallëzim penal, të ushtruar kundër L.K., në drejtim të verprave penale “Keqpërdorimi i fëmijëve në pornografi” nga neni 238 i KPRK-së dhe “Ofrimi i materialit pornografik i personave nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjet” nga neni 237 i KPRK-së. Prokurori i çështjes ka ndërmarrë disa veprime procedurale, ku më 28.02.2019 ka lëshuar urdhëresë për bastisje, në të njëjtën datë po ashtu ka parashtruar urdhëresë për sekuestrim të përkohshëm të sendeve”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

L.K është arrestuar me 26 shkurt në orën 14:20, nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar – Sektori për Hetime të Krimeve Kibernetike.

Sipas njoftimit, ai dyshohet për kryerjen e veprës ‘Keqpërdorim i fëmijëve në pornografi’, e të njëjtat akuza i ka pranuar para prokurorisë. Momentalisht iu është caktuar masa prej 48 orëve.

Përmes Facebook’ut, të gjithë përdoruesve iu jepet mundësi që t’i raportojnë përmbajtjet të cilat i konsiderojnë seksualisht të papërshtatshme, njëjte siç ndodhi edhe në rastin e burrit nga Gjakova.

Ndryshe, keqpërdorimi i fëmijëve në pornografi si në rastin konkret, identifikohet si çrregullim mendor që haset tek personat 16 vjeç e lart, të cilët karakterizohen nga një interes seksual parësor e ekskluziv ndaj fëmijëve të moshës së para pubertetit ose pubertetit të hershëm.

Pra, objekti i synuar janë fëmijë përgjithësisht të moshës 11 vjeç e më të vegjël.

Komento: