Shiten të gjitha biletat për ndeshjen e dytë finale mes Pejës dhe Trepçës.
Janë shitur të gjitha biletat për ndeshjen e dytë finale të “Play-Off”-it në Superligën e Kosovës në basketboll ndërmjet Pejës dhe Trepçës.
Lajmin e ka konfirmuar klubi nikoqir, Peja me anë të një njoftimi në faqen zyrtare në Facebook, shkruan lajmi.net.
“Të gjitha biletat janë shitur dhe ju njoftojmë se nuk do keni mundësi të bleni bileta te palestra. Dyert e palestrës hapen në ora 14:00. Ju lutemi të gjithëve që posedojnë Bileta Standarde, VIP Bileta, dhe Kartele Vjetore të vijnë sa më heret për të evituar problemet” – thuhet në njoftimin e klubit pejan.
Ndeshja e dytë finale mes Pejës dhe Trepçës luhet me fillim nga ora 17:00.
Trepça e fitoi ndeshjen e parë 94:86 në Mitrovicë dhe udhëheq 1:0 serinë finale.
Skuadra që fiton tri ndeshje finale shpallet kampion i Kosovës për këtë edicion.