Peleshi: Po angazhohemi për sigurinë e kampit të afganëve në Kosovë – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Peleshi: Po angazhohemi për sigurinë e kampit të afganëve në Kosovë

12:00 | 22 Tetor 2021

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi po merr pjesë në takimin e ministrave të Mbrojtjes të vendeve të Aleancës që po zhvillohet në Bruksel.

Mbrojtja e vendeve të NATO-s dhe lufta kundër terrorizmit në Afganistan dhe Irak ishin temat kryesore të ditës së parë të takimit të ministrave të Mbrojtjes të vendeve të Aleancës që po zhvillohet në Bruksel, ku po merr pjesë edhe ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi.

Ministrat diskutuan mbi forcimin dhe modernizimin e Strukturës së Forcave të NATO-s, me qëllim përgatitjen e vendimeve që udhëheqësit e NATO-s që do të marrin në Samitin e Madridit më 29-30 qershor 2022.

Ministri Peleshi nënvizoi rëndësinë e kontrollit politik mbi gjithë Procesin e Implementimit të Parandalimit ndaj rreziqeve dhe Mbrojtjes së zonës Euro-Atlantike dhe në veçanti, rritjen e ndërgjegjësimit të Aleancës për sa i përket Drejtimit Strategjik të Jugut, me fokus në Ballkanin Perëndimor.

Më tej, Peleshi ripërsëriti vendosmërinë e vendit tonë për zbatimin e zotimeve të marra në Samitin e Uellsit në vitin 2014, që konsistojnë në arritjen e nivelit 2 % të buxhetit të mbrojtjes dhe 20 % të këtij buxheti në investime, deri në vitin 2024.

Sa i përket Afganistanit, ministrat diskutuan se si mund të shfrytëzohen arritjet e Aleancës në këtë vend, si dhe hapat që duhet të ndiqen që vendi të mos bëhet përsëri një strehë e sigurt për grupet terroriste.

Në fjalën e tij, Peleshi vlerësoi kontributin e vendit tonë në këtë misionin e NATO-s në Afganistan duke theksuar se edhe pse vend i vogël, Shqipëria ka dhënë kontribute të mëdha atje, çka është vlerësuar në vazhdimësi nga udhëheqja politiko-ushtarake e Aleancës.

Ministri Peleshi përmendi edhe kontributin aktual që Shqipëria po jep për të ndihmuar refugjatët afganë.

Komento: