Mirëpritet rekomandimi i Avokatit të Popullit për pensionistët.
Shoqata e Inovacionit Financiar të Kosovës falenderon Avokatin e Popullit për adresimin e çështjes së përfshirjes financiare për pensionistë, me rastin e vlerësimeve dhe rekomandimeve të dhëna në Rastin Nr. 450/2018 përkitazi me trajtimin e pabarartë të pensionistëve nga ana e bankave komerciale në Kosovë, në ofrimin e shërbimeve të kreditit bankar.
Përfshirja financiare është shumë e rëndësishme për shkak të të drejtës gjithpërfshirëse për qasje në mjetet, shërbimet e produktet financiare për të gjithë qytetarët e Repubikës së Kosovës. Sektori financiar në Kosovë, sikurse çdo sektor tjetër që ofron shërbime për klientë duhet të sigurojë trajtim të barabartë për të gjithë konsumatorët. Për dallim nga bankat komerciale, sektori i institucioneve financiare jobankare në Kosovë e në veçanti kompanitë “fin-tech”, sigurojnë qasje në kredi edhe për kategorinë e personave mbi moshën 65 vjeç, përkatësisht kategorinë e pensionistëve.
“Ndër anëtarët e SHIFK të licencuar për ofrimin e shërbimit të kredidhënies, kompania Monego ofron përfshirje të plotë financiare duke ofruar kredi edhe për personat deri në moshën 70 vjeç. Megjithëse, ne jemi të vetëdijshëm për dobësinë e kësaj grupmoshe (pensionistët) për shkak të nivelit të ulët të të ardhurave të tyre, ata duhet të kenë të drejta të barabarta për të aplikuar për kredi. Para lëshimit të kredisë, kompanitë “fin-tech” kanë një punë me shumë përgjegjësi dhe etikë të lartë ku kryhet analizë serioze e të dhënave të ofruara nga klientët”, tha Venhar Hana, Drejtor Ekzekutiv i SHIFK.
Shoqata e Inovacionit Financiar të Kosovës kontribuon jashtëzakonisht shumë në promovimin e kredimarrjes së përgjegjshme nga klientët, vlerësimin e kushteve të tyre financiare dhe aftësinë për të përmbushur detyrimet e tyre financiare. Para dhënies së kredisë, nëse ajo aprovohet, çdo anëtar i SHIFK që ofron këtë shërbim financiar do të sigurohet se klientët plotësojnë kriteret përkatëse. Ndërsa, për të siguruar adekuatshmërinë e dhënies së kredisë dhe parandalimin e hyrjes së klientit në detyrime financiare të panevojshme, çdo anëtar i Shoqatës me rastin e aprovimit të kredisë vlerëson aftësinë paguese të klientit, duke kryer të gjitha vlerësimet e nevojshme të përcaktuara me legjislacionin në fuqi dhe përdorimit të modelit të caktuar për vlerësimin e riskut kreditor.