Emre Belezoglu pensionohet nga futbolli në moshë 39 vjeçare.
Futbollisti i ka thënë lamtumirë gushave të blerta pasi që ka vendosur të pensionohet duke i dhënë fund karrierës 24 vjeçare.
Ish-reprezentuesi turk ka falënderuar të gjithë bashkëpunëtorët, por edhe klubet ku është paraqitur në shtetin turk dhe Evropë, transmeton Telegrafi.
“Kur isha fëmijë, kisha vetëm një ëndërr në ato rrugët e vogla të bukura të Yedikules – të bëhem futbollist. Nuk kisha ëndrra të tjera. Ata thonë ‘Fati është i dashuruar me përpjekjet’, gjithçka që ëndërroja, Zoti më dha më shumë. Faleminderit çdo sekondë”.
“Që nga sot, unë lë ëndrrën time futbollistike, e cila filloi në ekipin e vogël të Zeytinburnusporit, duke lavdëruar Perëndinë. Dua të falënderoj klubet Zeytinburnuspor, Galatasaray, Inter, Newcastle United, Atletico Madrid dhe Başakşehir, të gjithë menaxherët e mi, trajnerët dhe skuadrat, punonjësit e klubit dhe të gjithë vëllezërit e mi. Ishit në momentet më të çmuara, faleminderit”, ka shkruar ndër të tjerash në letrën lamtumirëse.
Theksojmë se 39-vjeçari nuk do të largohet së marruri me futboll pasi tashmë është emëruar drejtor sportiv i Fenerbahçes, ku luan edhe reprezentuesi i Kosovës, Vedat Muriqi.
Ndryshe, Belezoglu ka fituar tituj të kampionit të Turqisë me Galatasarayn e Fenerbahçen, UEFA Super Cup me Atletico Madridin, Intertoton Cup me Newcastle Unitedin, Kupën e Italisë me Interin si dhe ka zënë vendin e tretë me Turqinë në botërorin e vitit 2002.