Përҫarja mes koalicionit qeverisës, shkak taksa ndaj Serbisë?

19:01 | 11 March 2019

Duket se taksa ndaj Serbisë është bërë shkak për përҫarja mes koalicionit qeverisës të Kosovës.

Rritja e trysnisë ndërkombëtare për pezullimin e këtij vendimi që hyri në fuqi më 21 nëntor të vitit të kaluar, shënoi edhe pikën e nisjes së mosmarrëveshjeve mes kryeministrit Ramush Haradinaj në njërën anë dhe kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli dhe presidentit Hashim Thaçi, të cilët nuk ndajnë mendimin e njëjtë për taksën e vendosur për produktet e Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës.

Derisa kreu i ekzekutivit insiston që taksa mos të hiqet, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli, por edhe ish-kryetari i kësaj partie, tani president i Kosovës, Hashim Thaçi, janë të mendimit që taksa duhet të hiqet.

Këta të fundit ndërruan qëndrimin e tyre, pas presionit ndërkombëtar e sidomos kërkesave të vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që taksa të pezullohet dhe t’i hapet rruga vazhdimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Për qëndrimet e Qeverisë së Kosovës, ka folur edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa. Ai tha se qeverisja Haradinaj duhet t’i ndryshojë qëndrimet edhe sjelljet e saj ndaj vendimeve që ka marrë dhe partnerëve ndërkombëtarë, e veçanërisht ndaj SHBA-së.

“Ne jemi munduar që edhe qeverisjes aktuale t’ia bëjmë me dije që duhet t’i ndërrojë qëndrimet e saj, duhet t’i ndërrojë sjelljet e saj sepse është në interes të vendit që ne të kemi bashkëpunim më të mirë me partnerët tanë evropian dhe veçmas me SHBA-në. Është në interes të vendit që ne të përmbushim agjendën evropiane, sepse pa e përmbushur këtë agjendë ne nuk mund të anëtarësohemi në BE dhe ne nuk kemi rrugë tjetër”, tha Mustafa në 29-vjetorin e themelimit të Forumit të Gruas dhe atë të Rinisë së LDK-së.

Mirëpo, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu, tha se nuk ka përçarje ndërmjet partnerëve të koalicionit qeverisës. Deputetja Haxhiu tha për Radion Evropa e Lirë se vendimi për taksën, është marrë në bashkëpunim me partnerët e koalicionit.

“Edhe si Grupe Parlamentare, konsultohemi për gjithçka. Jemi duke punuar. Po funksionon koalicioni dhe nëse flasim për një të ardhme, kurdo që të vendoset ndryshe, ne si Aleancë jemi të gatshëm”, tha deputetja Haxhiu.

Por, ndryshe mendojnë analistët e zhvillimeve politike në Kosovë.

Përçarja e partnerëve të koalicionit qeverisës, sipas njohësit të çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, tregon se vendimi për vendosjen e taksës, nuk ishte mirë i menduar. Ai për Radion Evropa e Lirë tha se vetë përçarja e koalicionit qeverisës në raport me taksën, dëshmon më së miri se nuk ka pasur plan ‘B’ dhe nuk ka pasur ndonjë ide se si duhet të vepruar nëse rritet presioni ndërkombëtar ndaj qeverisë kosovare për shkak të taksës.

“Zotëri Thaçi dhe zotëri Veseli, në fillim e kanë përkrahur taksën, kur taksa ka qenë një akt populist dhe ka hasur në miratimin e gjerë popullor sepse kanë dashur që të përfitojnë nga ky populizëm, mirëpo në momentin kur është rritur presioni, posaçërisht nga Amerika, atëherë edhe Thaçi edhe Veseli kanë kalkuluar politikisht dhe më shumë iu konvenon ta kundërshtojnë taksën sesa ta përkrahin atë”, tha Muhaxhiri.

Ai tha se kjo ndarje që ka ndodhur ndërmjet partnerëve të koalicionit qeverisës, dëmton Republikën e Kosovës, në rrafshin ndërkombëtar.

“Çdo mungesë e unitetit përbrenda spektrit politik kosovar, e dëmton jashtëzakonisht pozicionin e Kosovës, sepse në momentin kur Kosova nuk e ka një zë të vetëm që t’i artikulojë kërkesat e veta, atëherë edhe këto kërkesa e humbin fuqinë e tyre në raport me vendimmarrësit ndërkombëtarë”, tha Muhaxhiri.

Edhe nënsekretari amerikan i Shtetit për Çështje Politike, David Hale, i cili vizitoi Kosovën javën e kaluar, iu bëri thirrje autoriteteve në Prishtinë, të heqin tarifën ndaj mallrave serbe. Hale i cili vizitoi paraprakisht edhe Beogradin, iu bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të ndalin provokimet dhe të rivendosin dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në Bruksel.

Pas takimit që zhvilluan me zyrtarin amerikan në Prishtinë, liderët e Kosovës, u shprehën të gatshëm për vazhdimin e dialogut.

Koalicioni qeverisës në Kosovë ende nuk po arrin të gjejë ndonjë zgjidhje për ta përmbushur kërkesën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian për pezullimin e tarifës doganore, si hap i domosdoshëm për vazhdimin e dialogut me Serbinë.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka ripërsëritur qëndrimin e tij, se taksa ndaj produkteve me origjinë nga Serbia dhe Bosnja Hercegovina, nuk do të hiqet, derisa Serbia ta njohë shtetin e Kosovës.

Komento: