Për 33 mijë të punësuar deri më tash është kërkuar subvencionimi i pagës 170 euro – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Për 33 mijë të punësuar deri më tash është kërkuar subvencionimi i pagës 170 euro

15:37 | 18 Prill 2020

Deri tash për 33 mijë të punësuar është kërkuar subvencionimi i pagës 170 euro.

Si pasojë e pandemisë Covid-19, shumë biznese në vend kanë ndërprerë veprimtarinë e tyre të punës, ku vetëm brenda një jave për të përfituar nga “Pakoja Emergjente”, në Administratën Tatimore të Kosovës, janë parashtruar 8 mijë e 256 kërkesa.

Për shkak të kësaj krize, deri tash janë shkëputur rreth 400 kontrata të punës, ndërsa 1 mijë e 816 punëtorë kanë lidhur kontrata pune për herë të parë me bizneset pas 1 marsit për të përfituar nga kjo pako.

Drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj në një intervistë për KosovaPress, thotë se brenda një jave kompanitë kanë kërkuar mbështetje nga 170 euro për 33 mijë e 366 të punësuar. Murtezaj shtoi se këto kërkesa mund të zgjidhen edhe më shpejt se 15 ditë nga afati kohor i aplikimit.

“Nga dita e parë, prej të shtunës së kaluar(sot një javë), kur është vënë në funksion kjo platformë, deri më sot kemi 8 mijë e 256 kërkesa, ku në kuadër të tyre kemi 6 mijë e 313 kërkesa që kanë të bëjnë me kompensim të pagave për të punësuarit dhe janë 1 mijë e 943 kërkesa për kompensim të qirasë. Në kuadër të kërkesave për kompensim të punëtorëve bëhet fjalë për 33 mijë e 366 të punësuar të kategorisë A, 389 të punësuar të kategorisë B, dhe 1 mijë e 816 të punësuar të kategorisë C. Kategoria A, nënkupton që punëtorët janë të punësuar në bizneset që kanë kontrata pune dhe për shkak të pandemisë biznesi nuk ka arritur që t’i kompensoj pagat e tyre, dhe bazuar në pakon emergjente kompensohet shuma prej 170 euro. Kategoria B, përbëjnë të punësuarit të cilët për shkak të vështirësive financiare kanë shkëputur kontratat me punëdhën ësin, dhe ky numër është 389. Si dhe kategoria C, është për të punësuarit të cilët kanë lidhur kontratë pune pas periudhës së 1 marsit”, thotë Murtezaj.

Drejtori i ATK-së po thotë se në masat e Qeverisë për mbështetje të bizneseve, nuk janë përfshirë edhe ato individuale ose vet të punësuar.

Murtezaj thekson se kjo çështja është diskutuar edhe me ministrin e Financave dhe Transfereve për të gjetur një zgjidhje për ata, që është një numër i konsiderueshëm mbi 15 mijë.

“Është me rëndësi të potencoj çështjen se në pakon emergjente të nënshkruar më 3 prill në të cilën janë paraparë disa masa nuk ka qenë e përfshirë edhe kategoria e vet-punësuarve, gjë që është një numër i konsiderueshëm i të vet-punësuarve. Gjatë kësaj jave që po lëmë pas kemi diskutuar me Ministrinë e Financave, dhe me kabinetin e tij, me qëllim që të gjendet zgjidhja është për këtë kategori, sepse kjo kategoria nuk janë të përfshirë as në kuadër si vetë të punësuar që të përfitojnë dhe as si biznes. Qëllimi i Qeverisë është që të përkrahen të gjithë të prekurit nga koronavirusi, është domosdoshme që të parashihen masat edhe për ta ndihmuar këtë kategori që është një numër i konsiderueshëm mbi 15 mijë biznese, që janë të vetë-punësuar”, deklaron ai.

Murezaj ka deklaruar po ashtu se si pasojë e pandemisë, Cocid-19, kanë rënë në masë të madhe edhe të hyrat në ATK.

Komento: