Për 7.2 për qind pritet të tkurret ekonomika e Kosovës, ekpertët japin rekomandimet

20:20 | 01 Tetor 2020

Ekonomia e Kosovës pritet të tkurret me 7.2 për qind, ekpertët japin rekomandimet.

Ekonomia e Kosovës këtë vit do të tkurret për 7.2 për qind. Ky është projeksioni që ka bërë Banka Qendrore. Ekspertët vlerësojnë se efektet kanë filluar të hetohen qysh tash, përderisa as rritjet e mëparshme të ekonomisë prej rreth 4 për qind, sipas tyre, janë të pamjaftueshme.

Nga rritja ekonomike prej pak më shumë se 4 për qind, sa ishte vitin e kaluar, për këtë vit, Banka Qendrore ka parashikuar se ekonomia e Kosovës, si shkak i pandemisë Covid-19, do të tkurret me 7.2%.

Kjo sipas hulumtuesit nga Instituti Riinvest, Visar Vokrri, është rënia më e madhe ekonomike, që nga paslufta në Kosovë.

Vokrri thotë se efektet menjëherë kanë filluar të ndjehen.

“Pak a shumë po i shohim efektet, mund të reflektohen në punësim, në investime, edhe gjithashtu vitin e ardhshëm mund të kemi pak a shumë një gjendje të njëjtë”, deklaroi Visar Vokrri, përcjell Telegrafi.

Mirëpo, sipas tij, gjendja e krijuar është një momentum i ri, për të ndryshuar modelin ekonomik të vendit.

“Ta shfrytëzojmë këtë momentum dhe të mendojmë mirë për një model ekonomik që siguron rritje ekonomike afatgjate dhe të qëndrueshme. Pra një model i cili jo domosdoshmërisht bazohet në konsum, por kryesisht burimin e ka tek investimet, kur them investimet kryesisht janë investimet private, pra burojnë nga rritja e sektorit privat”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Visar Vokrri.

Struktura e pavolitshme ekonomike, për ekspertin Musa Limani, do të ndikoj që Kosova të ketë më shumë problem.

“Ekonomia e Kosovës gjatë këtij viti, por edhe gjatë vitit të ardhshëm do të përballet me probleme të konsiderueshme. Një që ka një strukturë të pavolitshme ekonomike, e dyta kjo pandemi ka kushtëzua rënien e prodhimtarisë, ka kushtëzuar largimin e punëtorëve, mandej veprimtarinë e disa sektorëve ekonomik dhe normalisht të gjitha këto efekte janë negative dhe mund të them që kanë efekte multiplikative”, deklaroi Musa Limani.

Limani gjithashtu ka vlerësuar se edhe rritjet ekonomike të disa viteve të mëparshme prej 4% nuk mjaftojnë.

Gjatë ditës, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ka publikuar një projeksion, i cili parasheh se ekonomia e Kosovës do të tkurret për 5%, kurse në vitin 2021 do të rritet për rreth 4%.

Komento: