Për aksionin në veri raportuan edhe mediat e huaja

18:04 | 13 Tetor 2021

Për tensionet që kanë ndodhur sot në veri kanë shkuar edhe mediat e huaja.

Aksioni i sotëm anti-kontrabandë me mallra i Policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës ka shkaktuar tensione të shumta në atë pjesë.

Ky lajm nuk ka kaluar pa u raportuar edhe nga mediat ndërkombëtare.
Agjencia ndërkombëtare e lajmeve “Reuters” ka shkruar se gjatë këtij aksioni, Policia e Kosovës ka gjuajtur me gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën e protestuesve serbë, të cilët ishin të pakënaqur me operacionin e Policisë.

“Reuters” tutje shkruan se gjatë këtij aksioni, të plagosur kanë mbetur gjashtë policë, prej të cilëve pesë janë të nacionalitetit shqiptar dhe një i nacionalitetit serb.

Një gjë e tillë është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Zona e cila është përcjellur me sulme ndaj zyrtarëve policorë është ajo e Mitrovicës së Veriut, ku protestues serbë kanë shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj këtij aksioni, duke vendosur barrikada në rrugë, përdorur bombola gazi, shok-bomba e gjithashtu ka pasur edhe të shtëna me armë zjarri e granata dore.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe PK-ja të cilët kanë bërë të ditur se aksioni ka përfunduar, teksa kanë theksuar se janë sekuestruar mallra dhe dëshmi të ndryshme të kontrabanduara në vlerë prej qindra mijëra eurove, të cilat shërbejnë si prova materiale, e të cilat kanë qenë të vendosura në lokacione të ndryshme, lokale afariste, magazina/depo.

Lidhur me këtë aksion, PK-ja ka arrestuar tetë persona, pasi të njëjtit kanë sulmuar zyrtarët policorë.

Po ashtu, autoritetet kosovare kanë shpallur në kërkim dhjetë të dyshuar për kontrabandë me mallra.

Në një konferencë për media, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Samedin Mehmeti ka thënë se gjatë këtij aksioni janë lënduar dhjetë policë, pasi ndaj tyre ka pasur sulme me armë e hedhje granate.

Ky aksion ka ngjallur reagime të shumta edhe nga ana e Serbisë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka nisur sot një takim në Rashkë të Serbisë me përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës.

Në këtë takim, ai ka thënë se kishte vetëm një mesazh: “Unë nuk jam si të tjerët, dhe kjo Serbi nuk është si dikur. Ne do të ruajmë paqen. I kërkojmë NATO-s të bëjë punën e saj,…”.

Ndërsa, kryeministrja serbe Ana Brënabiq, sot gjatë ditës, ka thënë se pret reagimin e bashkësisë ndërkombëtare teksa Policia dhe Dogana e Kosovës njoftuan për aksion kundër kontrabandës në disa lokacione, duke përfshirë edhe komunat në veri të vendit.
Reagim gjatë ditës ka pasur edhe nga Kryediplomati i BE-së, Josep Borrell, i cili i ka quajtur veprimet e Kosovës të njëanshme dhe të pakoordinuara.

“Incidentet e dhunshme në veri të Kosovës duhet të ndalojnë menjëherë. Veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara, që rrezikojnë stabilitetin, janë të papranueshme. Të gjitha çështjet e hapura duhet të adresohen përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Jemi në kontakt me Beogradin dhe Prishtinën”, ka shkruar Borrelli në Twitter.

Përveç se në Mitrovicë të Veriut, Policia e Kosovës ka zhvilluar aksion edhe në Pejë, Prishtinë e Mitrovicë të Jugut.

Komento: