Sot, bashkë me fëmijët, kompania ‘Al Trade Center’ ka mbjellur fidanë në kampusin e universitetit të Prishtinës.
‘Al Trade’ ka menduar që t’i gëzojë fëmijët, si dhe ta pasurojë natyrën me mbjelljen e disa fidanëve (drunj) të lartë dekorativ, në kampusin e universitetit të Prishtinës.
Drejtoresha e Parqeve në Komunën e Prishtinës, Fatime Hajdari ka thënë se mbjellja e fidanëve në Prishtinë është më se e nevojshme.
Sipas saj, komuna nuk arrin që t’i plotësojë të gjitha kërkesat e qytetit pa ndihmën e bizneseve siç është në këtë rast, kompania Al Trade Center.
“Ka raste kur ne si komunë nuk arrijmë që të plotësojmë të gjitha kërkesat që vijnë. Për këtë arsye shfrytëzojmë edhe mbështetjen e bizneseve të ndryshme, siç është asistenca e Al Trade Center si kompani shumë serioze. Kemi këtu edhe prorektoren e Universitetit e cila në çdo aktivitet është me ne, për të shënuar ditët e mjedisit apo të fëmijëve, në mënyrë që të përcjellim një mesazh të qartë se sa i rëndësishëm është mjedisi krahas kujdesit që kemi për ta”, ka thënë ajo.
Edhe prorektorja e Universitetit të Prishtinës, “Hasan Prishtina”, Myrvete Badivuku tha se Kampusit të Universitetit i nevojiten kontribute të tilla.
Ajo theksoi se ky aktivitet ka karakter të dyfishtë si në gjelbërim po ashtu edhe në edukimin e gjeneratave të reja për ruajtjen e ambientit.
“Falënderoj Komunën e Prishtinës, për organizimin e këtij aktiviteti, por edhe kompaninë Al Trade Center për kontributin e dhënë për gjelbërimin e kampusit së Universitetit të Prishtinës. Mendoj se aktiviteti ka karakter të dyfishtë. Në një anë kontribuon në gjelbërim, në anën tjetër ndikon në vetëdijesimin dhe edukimin e gjeneratave të reja për ruajtjen e ambientit. Ky kampus është shumë i frekuentuar prandaj çdo kontribut është shumë i vlefshëm”, potencoi Badivuku.
Ndërsa, pronari i “Al Trade Center”, Sokol Gashani ka thënë se sot është një ditë e veçantë pasi është dita e fëmijëve, 1 Qershori.
Gashani theksoi se kompani “Al Trade Center” në 365 ditët e saj është plot entuziazëm, fuqi, pozitivitet dhe forcë në gatishmëri për të ardhmen.
“Ne si kompani pa bërë dallim nga ditët e vitit çdo herë jemi në angazhim të plotë, me një entuziazëm, vullnet për të ardhmen e vendit tonë dhe të shtetit tonë. Por, sot me të vërtetë kur behet fjalë për ditët e së ardhmes, padyshim që ndjenjat janë të veçanta pasi që gjithherë jemi të përkushtuar t’i bashkojmë forcat që të angazhohemi për të ardhmen e vendit. E ardhmja padyshim që janë fëmijët. Çdo ditë e nisim me mendje dhe plot zemër që të japim maksimumin për të ardhmen e tyre më të mirë. Ku ka më mire se të jemi së bashku me ta, të angazhohemi së bashku për një qytet të gjelbër, një ambient për të ardhmen më të mirë me ata që janë plot shpresë për ditët e mira që do të vinë”, ka thënë Gashani.
Ai po ashtu bëri apel tek të gjithë që të tregojnë kujdes të veçantë për të ardhmen e vendit, fëmijët, pa dallim feje apo kombësie për një jetë të lumtur.
“Këta lindin dhe rriten plot dashuri. Kulturën e kam trashëgim nga familja, andaj apeloj nga këtu tek çdo gjysh, prind, që të kujdesemi shumë për të ardhmen tonë anembanë globit, pa dallim feje gjinie kombësie, që së bashku të jemi të lumtur”, tha ai.