Falë angazhimit maksimal të menaxhmentit dhe punëtorëve, të gjitha njësitë e Korporatës Energjetike të Kosovës kanë arritur performancë të jashtëzakonshme në gjashtëmujorin e parë të këtij viti.
Drejtori menaxhues i KEK-ut, Nijazi Thaçi ka thënë se bazuar në performancën e arritur pritet që edhe në gjashtëmujorin e dytë të këtij viti të tejkalohen ose dyfishohen rezultatet.
“Këtu jemi në divizionin e minierave dhe krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit 2018, në këtë gjashtëmujor kemi rritje të prodhimit të djerrinës në mbi 20%. Në qoftë se në vitin e kaluar janë prodhuar 3.6 milionë metër kub djerrinë në vit, këtë vit ka kaluar mbi 4 milionë. Po ashtu realizimi i qymyrit që është lënda e parë për prodhimin e energjisë elektrike, ka kaluar mbi 100% nga planifikimi ose 20% nga gjashtëmujori i parë i vitit të kaluar. Po ashtu kemi një performancë jashtëzakonisht të mirë të blloqeve të termocentralit Kosova A dhe Kosova B. Termocentrali Kosova A edhe pse është me pajisje të stërvjetruara mbi 60 vite, disponueshmëria e tyre edhe pse ka qenë e planifikuar 50% të punës, aty kanë kaluar mbi 70% secila. Pra, termocentrali Kosova A ka kaluar planin mbi 12%, ndërsa termocentrali Kosova B ka kaluar planin e prodhimit mbi 5%. Po ashtu kemi një performancë jashtëzakonisht të mirë në të gjithë sektorët e tjerë, duke përfshirë realizimin e projekteve kapitale ku në këtë gjashtëmujor kemi tejkaluar mbi 100% nënshkrimin e kontratave për projekte kapitale, çka do të thotë se e kemi rritur kapitalin e kompanisë mbi 10%. Në bazë të këtyre rezultateve që i shpreha, fitimi ose profiti i kompanisë për këtë gjashtëmujor ka arritur në 8 milionë euro. Ne presim që në gjashtëmujorin e ardhshëm t’i tejkalojmë ose t’i dyfishojmë këto rezultate, për arsye që sic i kemi thënë edhe më herët, këtë vit kemi filluar remontin e blloqeve në periudhën verore. Kemi filluar në mars ku e kemi në remont bllokun B2 të Kosovës B dhe bllokun A3 të Kosovës A, të cilat tashti janë në përfundim e sipër remontet dhe në shtator do t’i kemi të gatshëm, pra nga data 1 shtator në Korporatën Energjetike të Kosovës, do t’i kemi në dispozicion të gjitha blloqet në prodhim të energjisë elektrike”.
*Treguesi me i mirë i gjithë kësaj perofmance të Korporatës është realizimi i fitimit neto, e ku vetëm deri me 31 Qershor është rritur në vlerë prej hiq me pak se 7.959 mil euro.
Rezultate të mira natyrisht kemi pasur edhe në prodhim të energjisë elektrike dhe atë në dy Termocentralet. Përveç që kemi tejkaluar planin e prodhimit dhe kemi operuar sipas bilancit energjetik, kemi zvogëluar në minimum rëniet e paplanifikuara të blloqeve dhe me kohë kemi përfunduar të gjitha remontet e planifikuara.
*Nëse i shikoni tabelat e raportit, shihet qartë se të gjitha Blloqet e Termocentraleve, sikurse të “Kosova A” ashtu edhe të “Kosova B” kemi arritur dhe caqet e planifikuara.
*Të gjitha këto statistika i ka bërë publike drejtori menaxhues i KEK-ut, Njazi Thaçi gjatë publikimit të raportit për gjashtëmujorin e parë 2019.
Me gjithë specifikat e punës, në Korporatën Energjetike të Kosovës mosha mesatare e punëtorëve është 58 vjet dhe për të mbajtur ritmin e punës dhe arritjen e sukseseve kjo ndërmarrje ka filluar të freskohet me kuadro duke punësuar të rinj në profile të ndryshme.
“Në këtë vit kemi punësuar 108 punëtor të profileve teknike, të cilat tek ne janë mëse të nevojshme. Korporata Energjetike e Kosovës për dallim nga ndërmarrjet e tjera publike, siç dihet i ka specifikat e veta të punës për arsye të natyrës komplekse. Pikërisht për këtë çështje, çdo kuadër i ri që punësohet në KEK, së pari është i obliguar t’i nënshtrohet trajnimeve teknike, trajnimeve të sigurisë në punë dhe trajnimeve tjera për shkak se kemi një qendër trajnimi jashtëzakonisht profesionale me ekspert ndërkombëtar, të cilët përpos punëtorëve të KEK-ut, kryejnë trajnime për të gjithë ata të rinj që janë të interesuar t’i përshtaten tregut të punës në të ardhmen”, ka thënë drejtori menaxhues, Njazi Thaçi.
Gjithashtu, zhvillimet pozitive në këtë ndërmarrje i ka bërë më të rëndësishme dhe të fuqishme edhe raporti i auditorit të jashtëm.
“Në bazë të Ligjit për Ndërmarrjet Publike, ne jemi të obliguar ta bëjmë një auditim të jashtëm nga kompani e certifikuar. KEK-u e ka përmbushur këtë kriter dhe çka është më e rëndësishme të ceket është se raporti i auditimit është aprovuar pa asnjë vërejtje. Pra KEK-u i ka përmbush të gjitha objektivat ligjore, teknike që janë të parapara me ligjet e Kosovës”, ka deklaruar më tutje, drejtori menaxhues i KEK-ut, Njazi Thaçi duke shtuar se bazuar në raportin e performancës së aprovuar nga Bordi i KEK-ut shihet qartë se ndërmarrja ka një performancë jashtëzakonisht të mirë në të gjithë sektorët.