Për gjashtë muaj u asgjësuan rreth 300 mijë kilogramë produkte ushqimore

09:37 | 01 August 2019

Rreth 300 mijë kilogramë produkte ushqimore të asgjësuara.

Operatorët ekonomikë në Kosovë jo çdo herë përkujdesen që t’i ruajnë produktet ushqimore në temperatura adekuate, duke bërë që disa prej tyre të jenë të rrezikshme për konsumim, thonë përfaqësues të organizatave joqeveritare që merren me mbrojtjen e konsumatorëve.

Sipas tyre, stina e verës është një nga sezonet kur konsumatorët mund të hasin më shumë në produkte, të cilat nuk i plotësojnë kushtet për konsum.

Këto organizata, por edhe qytetarët, paraqesin shqetësimet e tyre për cilësinë e dyshimtë të produkteve. Ata thonë se kanë hasur në produkte të dyshimta dhe me afat të skaduar në tregun e Kosovës.

Egzona Murati një qytetare tregon se kishte hasur në produkte të dyshimta në një nga dyqanet ku ajo furnizohet me ushqim.

“Jo një herë, por disa herë ka pasur raste kur unë kam blerë produkt me afat të skaduar apo produkt i cili ka pasur afat, por kur është hapur nuk ke mundur ta konsumosh. Në veçanti gjatë stinës së verës ka produkte, të cilat nuk ruhen në temperatura adekuate. Kam bërë ankesa, por jo çdo herë është hequr malli nga tregu”, thotë ajo.

Udhëheqësi i Organizatës Joqeveritare “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se ende në Kosovë nuk ka një nivel të sigurt të produkteve të cilat qytetarët i konsumojnë.

“Akoma konsumatori në Kosovë nuk është i vetëdijesuar për atë se çfarë konsumojnë. Mekanizmat shtetëror nuk po e përmbushin obligimin e tyre që qytetarin, konsumatorin ta informojnë dhe ta vetëdijesojnë për produktet. Gjatë sezonit të verës kur temperaturat rriten, gjithandej ka produkte të cila ruhen në temperatura jo adekuate dhe produkte të cilat nuk duhet konsumohen”.

“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës po e bënë punën e vet, por edhe ata ankohen se nuk kanë mjaftueshëm inspektorë që të bëjnë kontrollet e duhura. Në Kosovë ka institucione të papërgjegjshme lidhur më mbrojtjen e konsumatorit”, thotë Kaçaniku.

Përfaqësuesit e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, të cilët janë përgjegjës kryesor për kontrollin e ushqimit në Kosovë, sigurojnë qytetarët për produkte cilësore.

Kjo Agjenci brenda gjashtë muajve ka asgjësuar rreth 300 mijë kilogramë të produkteve ushqimore, kryesisht, mish dhe produkte të mishit, pastaj qumësht dhe produkte të qumështit, të cilat nuk i kanë plotësuar kushtet për konsum.

Lamir Thaçi, zëdhënës në Agjencinë ë Ushqimit dhe Veterinarisë në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se inspektorët në vazhdimësi janë në terren dhe bëjnë kontrolle të operatorëve ekonomik në mënyrë që produktet e dyshimta të mos bien në duart e konsumatorit.

“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në secilin rast kur ka hasur në produkte të dyshimta të cilat nuk i kanë plotësuar kushtet për konsum në bazë të ligjeve në fuqi ato produkte janë asgjësuar. Brenda këtij viti produkte me orgjinë shtazore janë asgjësuar 276,301 kilogramë mish,produkte mishi dhe qumësht, produkte qumështi”, thekson Thaçi.

Produktet e cilësisë së dyshimtë të cilat janë asgjësuar, thekson Thaçi, janë hasur gjatë kontrolleve të rregullta që bëhen nga AUVK-ja, pastaj nga raportimet që bëjnë qytetarët kur hasin në produkte të dyshimta, por edhe në disa raste kur vetë operatorët ekonomik lajmërojnë rastet kur produktet që ata kanë në treg duhet asgjësuar për shkak të skadimit të afatit.

AUVK-ja kërkon nga qytetarët që rastet e tilla t’i raportojnë dhe po ashtu iu bënë thirrje që të jenë të kujdesshëm gjatë blerjeve.

Gjatë sezonit të verës, shton Thaçi, inspektimet janë më të shpeshta për shkak të temperaturave të larta dhe mos ruajtjes së produkteve në kushte adekuate nga operatorët ekonomik.

“Çdo vite në planet nacionale të kontrollit parashihet që në sezonin e verës rrisim kontrollimin e produkteve që kërkojnë kushte adekuate të ruajtës në temperatura të ulëta dhe fokusi jonë është tek produktet të cilët i nënshtrohen regjimit të temperaturave frigoriferike që janë produktet e mishit qumështit dhe produktet tjera që kërkojnë të ruhen sipas rregullave dhe përshkrimit të deklaracionit të produktit”, thotë Thaçi.

Ai shton se kur kanë hasur produkte të cilësisë së dyshimtë kanë dërguara flet-paraqitje në gjykatë, por që sipas tij, ka vonesa në shqyrtimin e lëndëve të tilla nga gjykatat.

Ndryshe, angazhimi institucional për mbrojtjen e konsumatorit në Kosovë ishte kërkuar në vazhdimësi edhe nga mekanizmat ndërkombëtarë.

Komento: