
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka refuzuar të bëhet pjesë e debatit që shpërtheu qe nga dje brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës pas kërkesës për dorëheqje të kryetarit të saj nga dy degë të LDK-së.
Derisa po fliste para gazetarëve për koncertin e sotëm, “Kanga Jonë – Dashni nga Prishtina”, i cili organizohet nën patronatin e Kryeqytetit dhe që mbledh artistë nga Kosova e Shqipëria, Rama nuk iu përgjigj pyetjes së gazetarëve kur iu kërkua të fliste për LDK-në.
“Për koncert po, për tjerat jo. Hajdeni për ekspozitë”, tha Rama.
Dje degët e LDK’së në Pejë dhe në Lipjan kanë kërkuar dorëheqjen e Abdixhikut pas rezultatit në zgjedhjet e fundit që mori kjo parti.
Anëtarë të shumtë të LDK-së reaguan pas këtij zhvillimi, disa prej të cilëve mbështeten kërkesat e këtyre degëve, ndërsa të tjerë i dolën në krah Abdixhikut.