Për më pak se dy vjet ndodhën kaq raste të privimeve nga jeta në familje

17:27 | 01 Mars 2020

Për më pak se dy vjet, kanë ndodhur 13 rastë të privimeve nga jeta në familje në vendin tonë.

Në njërin rast, djali privoi nga jeta prindërit, ndërkaq rasti i fundit ka qenë më 18 shkurt të këtij viti, kur një zyrtare policore privoi nga jeta prindërit, dy vëllezërit dhe më pas ia mori vetës jetën.

Ndërkaq gjatë vitit të kaluar kanë ndodhur gjashtë raste të privimeve brenda familjes.

Në katër raste ishin shënuar raste të privimeve nga jeta të grave nga burrat e tyre, ndërkaq një rast vëllai kishte privuar vallain dhe një rast tjetër, nëna privoi fëmijën e saj.

Këto janë të dhënat e Policisë së Kosovës, sipas të cilave, në vitin 2019, janë iniciuar për hetim 1951 raste të keqtrajtimeve në familje.

Ndërkaq sa i përket gjinisë, sipas Policisë së Kosovës, 1,557 viktima të këtyre rasteve kanë qene femra dhe 788 meshkuj.

Policia ka prangosur 788 persona të dyshuar për përfshirje në rastet e cilësuara si keqtrajtim në familje.

Daut Hoxha, zëdhënës në Policinë e Kosovës flet edhe për të dhënat për vitet paraprake sa i përket keqtrajtimit në familje.

“Në vitin 2018, policia ka iniciuar 1541 raste të ‘keqtrajtimit në familje’. Sa i përket gjinisë, 1189 viktima të këtyre rasteve kanë qene femra dhe 308 meshkuj. Viktimat sa i përket moshës, grup-moshat më të shpeshta janë ato 20-30 vjeçare dhe 30-40 vjeçare. Policia ka prangosur 499 persona të dyshuar për përfshirje në rastet ‘keqtrajtim në familje’”, tha Hoxha.

“Derisa në vitit 2017, policia ka iniciuar 1269 raste të ‘keqtrajtim në familje’. Sa i përket gjinisë: 958 viktima të këtyre rasteve kanë qene femra dhe 261 meshkuj. Viktimat sa i përket moshës, grup-moshat më të shpeshta janë ato 20-30 vjeçare dhe 30-40 vjeçare. Policia ka prangosur 400 persona të dyshuar për përfshirje në rastet ‘keqtrajtim në familje”, tha Hoxha.

Adelina Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës, tha se e gjithë shoqëria duhet të angazhohet në mënyrë që të ndikohet në ndaljen dhe uljen e rasteve të privimit nga jeta, sidomos në familje.

Ajo thotë se institucionet gjegjëse duhet të angazhohen më shumë që të dihet se kush posedon mjete zjarri, dhe si qëndrojnë me shëndetin mendor, pasi edhe kjo paraqet rrezik për shoqërinë.

“Deri tash shteti ka reaguar, pasi kryersit e veprave po zbulohen, por më pas, sa po dënohen shtrohet pyetja. Kemi pasur dy raste kur dorasit janë dënuar me ndalim të përjetshëm, por më pas lënda është kthyer në rigjykim. Do të shohim nëse do të ulet dënimi. Kjo jep shenja që nuk po i marrin dënimet meritore, në këtë rast dorasit e grave. Gjithë shoqëria duhet të angazhohet dhe të vetëdijesohet që të ndryshojë situata”, tha Berisha.

Në Kosovë, bazuar në të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme, numri i armëve ilegale në posedim të qytetarëve llogaritet të jetë rreth 260 mijë sosh. Ndërkaq numri i përgjithshëm i mjeteve legale në posedim të qytetarëve, është afër 50 mijë.

Berisha shton se armët ilegale në duart e qytetarëve përbëjnë rrezik për shoqërinë dhe kërkon kontroll të shtuar nga autoritetet e rendit.

Kodi Penal i Republikës së Kosovës, dënimin më të rëndë për privim parasheh dënimin me ndalim të përjetshëm.

Zëdhënësi i Gjykatës së Apelit, Arbër Jashari, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, kohë më parë pati thënë se kjo gjykatë, ka vërtetuar dy dënime me ndalim të përjetshëm, mirëpo ato janë kthyer në rigjykim.

Ndërkaq në Institutin e Kosovës për Drejtësi, institut ky që monitoron rastet në gjykata, thonë se deri më tani është shpallur vetëm një dënim me ndalim të përjetshëm. Kurse, për gjashtë raste tjera gjykatat në shkallën e parë kanë shpallur dënim të përjetshëm, të njëjtat janë ndryshuar apo kthyer në ndalim me vite nga 22 deri 37 , kurse disa të tjera janë kthyer në rigjykim.

Në këtë Institut thonë se masat e ashpra ndëshkimore nuk po arrijnë qëllimin në mënyrë që rastet e privimeve nga jeta në familje të parandalohen.

Komento: