Vazhdon greva në aeroportin e Prishtinës.
Për rreth katër orë në Kullën e Trafikut Ajror në Agjencinë e Shërbimit të Navigimit, ka mbretëruar qetësia, raporton KTV.
Vetëm një aeroplan ushtarak ka aterruar në pistën e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, kjo pasi të 22 kontrollorët e këtij institucioni kanë mbajtur grevën e dytë të tyre, kësaj radhe katërorëshe.
Grevës së tyre i janë bashkuar edhe punëtorët e tjerë të ASHNA-së.
Pak para mesditës, Aeroporti “Adem Jashari” është vërshuar nga udhëtarët, fluturimet e të cilëve janë shtyrë për disa orë.
Por, shtyrjet nuk i kanë bezdisur udhëtarët, shumica e të cilëve kanë thënë se janë njoftuar me kohë për grevën.
Driton Hyseni, menaxher i planifikimit të fluturimeve në ANP, ka theksuar se gjendja ka qenë e menaxhueshme, porse komplikime mund të ketë nëse greva vazhdon.
Kontrollorët janë të bindur në vazhdimin e veprimeve të tyre sindikale, deri në largimin e ASHNA-së nga Ligji i Pagave, pasi, sipas tyre, i është marrë pavarësia që e kishte.
Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës, u ka bërë thirrje kontrollorëve të trafikut ajror që ta ndërpresin grevën.
Autoriteti ka bërë të ditur se i ka njoftuar të gjitha kompanitë ajrore për orarin e grevës, derisa ka shprehur keqardhjen që kontrollorët kanë vendosur të vazhdojnë grevën