Për shkak të grevës së kirurgëve, po anulohen rreth 200 operacione në ditë

08:43 | 10 Janar 2019

Ka tash e tre javë që kirurgët në QKUK janë në ngrevë.

Rreth 200 operacione në ditë, aq sa kryhen brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, janë duke u anuluar për shkak të grevës së tyre.

Greva në shëndetësi ishte organizuar nga Federata Sindikale e Shëndetësisë më 26 dhjetor dhe kishte zgjatur 72 orë. Më pas kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla pas takimit me zyrtarë qeveritarë kishte hapur rrugën për dialog social, duke urdhëruar që greva të ndërpritet.

Megjithëkëtë, mjekët kirurgë ishin ata që kishin vendosur ta vazhdojnë grevën. Kërkesa e tyre është rritja e pagës përmes miratimit të Projektligjit për pagat, i cili aktualisht është në procedurë të miratimit.

Arbër Morina, kirurg, i tha Radios Evropa e Lirë se kolegjiumi profesional i kirurgëve ka vendosur që greva të mos ndërpritet. Sipas tij, grevës tashmë i janë bashkuar 157 kirurgë nga gjithë Kosova.

Ndër të tjera, Morina tha se ndonëse është marrë vendimi për ndërprerjen e grevës nga ana e Sindikatës së Shëndetësisë, një gjë e tillë nuk është respektuar nga këta të fundit, pasi që siç thotë ai, kjo sindikatë asnjëherë nuk i ka përfaqësuar denjësisht kirurgët.

“Arsyeja pse kolegjiumet profesionale të kirurgëve jemi në grevë është se Sindikata asnjëherë nuk na ka përfaqësuar denjësisht apo më saktë, asnjëherë nuk e ka çuar deri në fund kërkesën e profesionistëve shëndetësorë, andaj edhe shëndetësia është në gjendjen që është”.

“Ne jemi kolegjium profesional i pa politizuar, pa ngjyrime politike dhe jemi grupi më i madh i intelektualëve të Kosovës. Jemi 157 kirurgë terciarë dhe nuk jemi grup i vogël, dhe nëse quhemi grup i vogël, është për të ardhur keq”, tha Morina.

Sipas Morinës, për këto 20 vjet pas luftës, kirurgët kanë bërë shumë, andaj nënvizon ai, ka ardhur koha që kjo punë të vlerësohet.

“Saktësisht kirurgët po kërkojnë koeficientin 10, nga 5 sa është diskutuar nga ana e Sindikatës, e që aktualisht jemi të ranguar edhe më poshtë”, tha Morina, duke iu referuar koeficientit të pagës.

Ndryshe, për punën që kryejnë mjekët specialistë paguhen me rreth 600 euro në muaj.
Në anën tjetër, kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, tha se prej vitit 2010 kur ai udhëheq këtë Federatë, paga e mjekëve është rritur nga rreth 200 euro sa ka qenë në atë kohë, gradualisht në rreth 600 euro.

Ai gjithashtu shtoi se koeficienti 10, që nënkupton pagën deri në rreth 4 mijë euro, nuk i përket standardeve të Kosovës, kur dihet se paga mesatare në Kosovë është rreth 170 euro.

“Kirurgët që janë në grevë, mendoj se janë entuziastë të cilët nuk e dinë realitetin në Kosovë. Kërkojnë pagë deri në 4 mijë euro, e që kjo nuk përket me rritjen ekonomike dhe as me realitetin në Kosovë. Nëse ata mund ta arrijnë këtë përmes Qeverisë, unë do të jem prapa tyre. Por, ata po luftojnë për disa individë, derisa unë si udhëheqës për 14 mijë punëtorë shëndetësorë. Si mundet një kirurg të kërkojë pagë 4 mijë euro, kur paga mesatare në Kosovë është 170 euro”, tha Syla.

Ndërkohë, Arbër Morina thotë se edhe pse janë ndërprerë ndërhyrjet kirurgjike apo operacionet, rastet urgjente po kryhen dhe nuk po cenohet jeta e asnjë pacienti.
“Asnjë rast urgjent nuk ka mbetur pa trajtuar. Janë të ndërprera shërbimet selektive kirurgjike, e që nënkupton që janë ndërprerë 200 operacione ditore në QKUK. Këto operacione nuk janë duke u kryer dhe kjo është pamundësuar për shkak të neglizhencës që po na bëhet”, tha Morina.

Ndërkaq këshilltari për media i ministrit të Shëndetësisë, Albatrit Matoshi tha se Qeveria e ka përshëndetur ndërprerjen e grevës nga ana e Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës.

“Ne jemi duke e përcjellë edhe grevën e kirurgëve në QKUK. Besojmë që menaxhmenti i SHSKUK-së do ta menaxhojë më së miri edhe këtë situatë. Nga ta jemi njoftuar se kanë pasur takime të rregullta dhe po punohet drejt një zgjidhje”, tha Matoshi.

Qeveria pret që grevat në sektorin e shëndetësisë të ndërpriten, në mënyrë që t’i jepet shans dialogut rreth rritjes së pagave, sipas Projektligjit aktual i cili po pret miratimin nga Kuvendi i Kosovë.

Komento: