Kosovarët rrezikojnë t’i humbin kursimet në bankat e Serbisë për shkak të heshtjes së institucioneve.
Gjykata e Strasburgut u ka dhënë të drejtë të gjithë qytetarëve të Kosovës që t’i tërheqin mjetet e kursyera në bankat e Serbisë, përfshirë edhe ato të kohës së ish-Jugosllavisë, të cilat janë depozituar kryesisht gjatë viteve ‘80 dhe ‘90. Mirëpo, për shkak të mosangazhimit institucional të Kosovës, ato mjete rrezikojnë të humbasin.
Qe dy muaj, Ministra e Punës dhe Mirëqenies Sociale, si dhe Ministria e Drejtësisë, nuk i kanë kthyer një përgjigje Institucionit të Avokatit të Popullit, i cili ka propozuar që të themelohet një zyrë ku qytetarët do të mund t’i dorëzonin dëshmitë që kanë për kursimet e tyre, e të cilat pastaj do të mund të dorëzoheshin në Beograd nëpërmjet Zyrës Ndërlidhëse për Kosovën, shkruan Koha Ditore.
Afati që ka dhënë Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës, i cili është përgjegjës për mbikëqyrjen e zbatimit të vendimeve të Gjykatës së Strasburgut, për zbatim të këtij vendimi, sipas Avokatit të Popullit, Hilmi Jashari, është 23 dhjetori i këtij viti.
Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Ministria e Drejtësisë, që nga e premtja e javës së kaluar nuk i kanë kthyer përgjigje gazetës lidhur me këtë çështje.
Dy institucione të tjera, angazhimin e të cilave e ka kërkuar Avokati, janë edhe Ministria e Financave dhe Banka Qendrore e Kosovës. E para ka thënë të mos i jetë përgjigjur, ndërkohë e dyta ka thënë se e ka ngritur këtë çështje duke i dërguar një letër Bankës Qendrore të Serbisë, në të cilën kërkohen shpjegime se në çfarë mënyre mund të kthehen ato mjete tek qytetarët e Kosovës.
BQK-ja nuk ka marrë një përgjigje ende nga autoritetet e Serbisë. Nga Ministria e Financave, gazetës i kanë thënë se kjo çështje bie në fushëveprimin e Ministrisë së Punës dhe se ata janë të gatshme për të ofruar asistencë në këtë proces.