Ngjarje e dhimbshme ka ndodhur në Afganistan.
Akhtar Mohammadi u përball me një vendim të llojit “jetë a vdekje”.
Ta lejojë tërë familjen që të vdesin urie apo ta shesë vajzën e tij 2-vjeçare.
Ai është fermer nga provinca Badghis dhe e humbi tërë pasurinë e tij për shkak të thatësirës më të gjatë në histori të jetës së tij.
Në pamundësi për kultivuar prodhime bujqësore për ta ushqyer familjen dhe i thelluar në borxhe, në fillim familja e tij u detyrua të hante më rrallë gjatë ditës. Më pas ai i kishte shitur tri delet që i kishte në pronësi. E në fund, ai u detyrua që me ngurrim ta marrë vendimin më të vështirë të jetës së tij, ta shesë vajzën e vet.
“Isha i detyruar ta shes vajzën. Nuk kisha të holla dhe më duhej ta ushqej familjen. E mora këtë vendim për shkak të urisë”, tha ai. Së bashku me familjen e tij, ai po banon në një kamp për personat e zhvendosur, i cili ndodhet në qytetin perëndimor të Heratit, aty ku tendat shumëngjyrëshe e ngritura sikur e prishin relievin homogjen të shkretëtirës.
Mohammadi e shiti vajzën për 150 mijë afganë, që e kanë vlerën e vetëm rreth 2 mijë dollarëve amerikanë, ndërsa e mbajti në familje fëmijën tjetër, që është një djalosh 4-vjeçar. Sidoqoftë, vajza është ende duke qëndruar me familjen e saj biologjike sepse babai i saj e ka marrë vetëm gjysmën e të hollave, ndërsa do t’ia japë vajzën blerësit kur ta pranojë pjesën e mbetur të pagesës, shkruan “Free Europe”, transmeton Gazeta Express.