Lufta në Ukrainë ka sjellë shumë probleme anë e mbanë botës.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se përkundër që aktiviteti ekonomik ka tejkaluar pritshmëritë me një rritje rekorde, për këtë vit janë të detyruar që të rishikojnë planifikimet.
Murati tha se lufta në Ukrainë pritet të ndikojë në perspektivën makroekonomike afatshkurtër dhe afatmesme, shkruan Reporteri.net.
Kjo, siç tha ai për shkak të lëvizjes së çmimeve në tregjet globale.
“Si rezultat i tronditjeve në zinxhirin e furnizimit në tregjet globale dhe pasojave të luftës në Ukrainë, ekonomia e Kosovës pritet të ketë një rritje më të moderuar në vitin 2022, andaj edhe vlerësimet e Ministrisë së Financave janë rishikuar krahasuar me ato fillestare për këtë vit. Nga parashikimet presim që rritja reale e vitit 2022 të arrijë 5.7 %, nxitur kryesisht nga eksporti neto dhe investimet, kurse rritja nominale përsëri do të jetë dyshifrore, megjithatë janë presionet inflacionare që ndikojnë që rritja reale kësaj radhe të jetë me e ulët”, ka thënë Murati në mbledhjen e Qeverisë.
Në bazë të të dhënave deri në muajin prill, Murati tha se të hyrat buxhetore kanë vazhduar të shënojnë rritje krahasuar me vitin paraprak, pra 21% më shumë.
Edhe sipas projeksioneve të Bankës Botërore, rritja ekonomike në Kosovë pritet të ngadalësohet në 3.9 për qind në vitin 2022.