Për sot anulohen fluturimet në Aeroportin e Prishtinës

08:09 | 15 June 2020

Anulohen për sot fluturimet në Aeroportin e Prishtinës.

Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” ka njoftuar se të gjitha fluturimet e datës 15 qershor 2020 janë anuluar.

Kështu bëhet e ditur në njoftimin e aeroportit.

“Të dashur udhëtarë, ju njoftojmë se të gjitha fluturimet e datës 15 Qershor 2020 janë anuluar!”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, në tri ditët e fundit në Kosovë janë regjistruar 160 raste të infektuarve me COVID-19, kurse 32 persona janë shëruar. Ndërsa dy persona të infektuar kanë humbur jetën në dy ditët e fundit.

Rritja alarmante e numrit të prekurve me coronavirus në tri ditët e fundit, sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, është shqetësuese dhe tregon përkeqësim të situatës epidemiologjike me rrezik të shkuarjes drejt humbjes së kontrollit.

IKSHPK thotë se që kur ka filluar lehtësimi i masave për disa aktivitete, kemi gjurmuar raste të reja të COVID-19 duke u shtuar rreziku të shpërthejnë vatra të reja epidemike në disa komuna të Kosovës dhe në institucione e degë të ekonomisë, për shkak të mos mbajtjes së distancës dhe mos mbajtjes së maskave.

“Duke pasur parasysh se në javën e fundit kemi rritje të rasteve pozitive që në intensitet krahasohen me mesin e muajit prill dhe kemi raste te punëtorët e organizatave publike e private, si Posta e Kosovës, KEK, KEDS, Galeria e Arteve, institucione bankare, shëndetësore, agjensione, kompani tregtare dhe biznese private, rekomandojmë Ministrinë e Shëndetësisë të mbyllen sektorët ku ka raste pozitive dhe të gjitha rastet pozitive dhe kontaktet e tyre të mbahen në vetizolim, ndërsa BARTJA E MASKAVE MBETET OBLIGATIVE!”, thuhet në njoftimin e IKSHPK.

Më tek IKSHPK thotë se “këto ditë vërehet fluks i shtuar i lëvizjes së qytetarëve kudo nëpër Kosovë. Kjo është sjellje e rrezikshme dhe lehtësimi i lëvizjes nuk nënkupton mosrespektimin e rekomandimeve të Institutit Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë me mbajtjen e distancimit fizik dhe mbajtjen e maskave në vendet publike”.

Që nga përhapja e pandemisë, në Kosovë janë regjistruar 1,486 raste me COVID-19, ndërsa të shëruar 1,183 dhe të vdekur 33.

Komento: